Vuçiq, para se të kërkojë Ballkan pa kufij, le të japë llogari për Banjskën dhe sulmin terrorist në “Ibër Lepenc”

Vuçiq, para se të kërkojë Ballkan pa kufij, le të japë llogari për Banjskën dhe sulmin terrorist në “Ibër Lepenc”

Nga Fadil Pushkolli

Aleksandar Vuçiç vazhdon ta shesë veten si lider rajonal që kërkon “Ballkan pa kufij” dhe integrim të përbashkët në BE. Por kjo retorikë nuk mund të mbulojë përgjegjësinë e tij direkte për destabilizimin e rajonit dhe për veprimet e strukturave kriminale që operojnë nën ombrellën e shtetit serb.

Para se të kërkojë pranime kolektive në Bashkimin Evropian, Vuçiç duhet të japë llogari pikërisht para BE-së për dy nga aktet më të rënda terroriste të viteve të fundit në Kosovë.

Së pari, për sulmin e armatosur në Banjskë, ku grupet kriminale të dirigjuara nga Beogradi sulmuan territorin e Kosovës, duke vrarë policin Afrim Bunjaku. Asnjë përgjegjës politik, institucional apo ushtarak në Serbi nuk është vënë para drejtësisë. Përkundrazi, organizatorët janë dekoruar dhe shpallur “heronj”.

Së dyti, Vuçiç duhet të përgjigjet për sulmin terrorist në kanalin e “Ibër Lepencit”, një akt që synonte dëmtimin e infrastrukturës kritike dhe rrjedhimisht destabilizimin e sigurisë së Kosovës. Emri kyç që del në këtë rast është Jovan Viçentijeviq, kolonel i Ushtrisë së Serbisë, i cili bashkë me vëllain e tij dyshohet se ka organizuar dhe ekzekutuar sulmin në Varagë, Zubin Potok.

Fakti që një kolonel aktiv i Forcave të Armatosura të Serbisë akuzohet për pjesëmarrje në akte terroriste në Kosovë, tregon qartë se këto operacione nuk janë veprime të individëve të shkëputur, por pjesë e një strukture të orkestruar nga vetë shteti.

Para këtyre realiteteve, fjalët e Vuçiçit për “unitet rajonal” dhe “integri­m të përbashkët” nuk janë asgjë më shumë se fasadë diplomatike. Serbia e drejtuar prej tij vazhdon të jetë burimi kryesor i destabilitetit në Ballkan, duke strehuar, financuar dhe komanduar struktura kriminale në veri të Kosovës.

Deri sa Beogradi të distancohet nga këto veprime, të hetojë zyrtarisht kolonelët dhe politikanët e implikuar, dhe të bashkëpunojë realisht me drejtësinë ndërkombëtare, çdo thirrje e Vuçiçit për “Ballkan pa kufij” mbetet vetëm propagandë — një përpjekje për të fshehur dështimet dhe përgjegjësitë e tij.

Ballkani mund të ecë drejt BE-së vetëm me transparencë, drejtësi dhe ndëshkim të terrorizmit, jo me premtime boshe nga ata që vetë i ushqejnë tensionet.