Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, njoftoi se më 26 gusht ka zhvilluar një bisedë telefonike me ministrin e Jashtëm të Rusisë, Sergey Lavrov, për thellimin e mëtejmë të bashkëpunimit mes dy vendeve dhe për situatën politike në rajon.
Vuçiq tha se e ka njoftuar shefin e diplomacisë ruse për situatën në Kosovë dhe, siç shkroi ai, për “përpjekjet e vazhdueshme për dëbimin e popullsisë sonë nga vatrat shekullore, si dhe për heshtjen e shumicës së bashkësisë ndërkombëtare”.
Temë bisede, sipas Vuçiqit, ishte edhe situata në Bosnje e Hercegovinë.
“Diskutuam mbi situatën në Bosnje e Hercegovinë, krizën e shkaktuar nga jashtë, me sulme të vazhdueshme ndaj (entitetit) Republika Sërpska”, shkroi Vuçiq në Instagram.
Ai, më herët, pas vendimit në Bosnje e Hercegovinë për t’ia hequr mandatin Millorad Dodikut si president i atij entiteti, kishte deklaruar se Beogradi “gjithmonë do të qëndrojë pranë popullit tonë dhe Republikës Sërpska”.
Dodikut iu hoq mandati pasi u dënua me një vit burgim dhe me gjashtë vjet ndalim për të ushtruar funksione publike, për shkak të mosrespektimit të vendimeve të përfaqësuesit të lartë në Bosnje e Hercegovinë.
Ky lider prorus, që drejton partinë kryesore të serbëve në Bosnje, gëzon mbështetjen e Moskës.
Vuçiq ka thënë se, gjatë një “bisede të gjatë dhe miqësore” me Lavrovin, u ra dakord që të vazhdohet me zhvillimin e marrëdhënieve në fusha të ndryshme dhe të thellohet komunikimi në forume, organizata dhe institucione ndërkombëtare.
Beogradi ka vazhduar të mbajë marrëdhënie të ngushta me Moskën edhe pas vendosjes së sanksioneve ndaj Rusisë nga Bashkimi Evropian, Shtetet e Bashkuara dhe vende të tjera perëndimore për shkak të pushtimit të Ukrainës.
Edhe pse Serbia është kandidate për anëtarësim në BE, autoritetet refuzojnë t’i bashkohen sanksioneve kundër Rusisë.
Nga Kremlini, Beogradi zyrtar ka marrë mbështetje edhe përballë protestave kundër qeverisë, ku demonstruesit kërkojnë mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare./REL/
Të tjera
Trump parashikon një “përfundim efektiv” të lu*ftës në Ga*za brenda tri javësh
Policia parandalon ko*ntrabandën e 40 kecave në vlerë prej 6 mijë eurosh
Një muaj paraburgim ndaj të dyshuarit për su*lm ndaj pjesëtarëve të KFOR-it dhe Policisë në Zveçan