Rashiq: Lista Serbe po i kërcënon dhe largon nga puna serbët që na përkrahin

Vuçiq ushtroi presion ndaj serbëve të Kosovës përmes frikës dhe aparatit shtetëror në zgjedhjet lokale

Nënkryetari i Kuvendit të Kosovës dhe lideri i Partisë për Liri, Drejtësi dhe Mbijetesë, Nenad Rashiq ka folur për zgjedhjet lokale, për ndërhyrjen e Serbisë përmes Listës Serbe dhe për situatën politike në Kosovë, përfshirë mundësinë e zgjedhjeve të reja.

Ai ka theksuar se Serbia përdor çdo mekanizëm shtetëror për të ushtruar presion ndaj serbëve të Kosovës dhe ka kërkuar më shumë mbështetje nga bashkësia ndërkombëtare për pluralizëm politik brenda komunitetit serb.

Rashiq tha se partia e tij ka marrë pjesë në gjashtë komuna në zgjedhjet lokale dhe se, pavarësisht presioneve, ka arritur të ketë përfaqësues në asambletë komunale.

“Kemi pasur kandidatë për kryetarë në gjashtë komuna dhe do të jemi të pranishëm në të gjitha. Kjo është hera e parë që dalim në këtë formë në Veri”, tha Rashiq në një intervistë për “Përballje Podcast” në Telegraf.

Sipas tij, fushata ka qenë e vështirë për shkak të ndërhyrjeve dhe kërcënimeve të vazhdueshme që, siç thotë ai, vijnë nga strukturat e lidhura me Beogradin.

“Serbët e Kosovës janë të lidhur me Beogradin nga shumë aspekte – kulturor, fetar, shëndetësor. Por Vuçiq, si diktator, i keqpërdor këto lidhje. Ai përdor aparatin shtetëror, aparatin e zi, përmes financave, shantazheve dhe dhunës fizike ndaj njerëzve që nuk i binden”, deklaroi ai.

Rashiq shtoi se shumë qytetarë serbë në Kosovë përballen me frikë, kërcënime dhe ndalesa në kufi nëse nuk janë pjesë e Listës Serbe. Ai tregoi se edhe familjarët e tij kanë përjetuar ndalime të tilla.

“Djali im, që studion në Serbi, çdo herë mbahet katër orë në kufi. Edhe gruaja ime është ndalur. Kjo është një luftë psikologjike që po vazhdon prej vitesh”, tha Rashiq.