Kurti: Vullneti i popullit nuk anulohet me dekrete

Vullneti i popullit nuk anulohet me dekrete

Kryeministri i vendit, Albin Kurti, nga foltorja e Kuvendit të Kosovës, tha se vullnetit i popullit nuk anulohet me dekrete. Shefi qeveritar tha se dekreti i lëshuar nga presidentja ishte në shpërputhje me Kushtetutën e Republikës dhe ka krijuar një situatë, sipas tij, e cila kërkon qartësi e jo konfuzion, dhe përgjegjësi e jo shmangie.

 

“Shpërndarja e Kuvendit nuk është instrument për të tejkaluar vështirësitë politike dhe mbi të gjitha është vërtetuar e dëshmuar edhe nga Kushtetuesja tani që presidenti nuk mund të shpërndajë vullnetin e popullit, as në presion të afateve e të paqartësive kushtetuese. Vullneti i popullit nuk anulohet me dekrete dhe rrjedhimisht as nuk shpërndahet. Tani pas qartësimit dhe vërtetimit të kësaj të vërtete të pamohueshme, sot nuk kemi një boshllëk institucional para nesh, por kemi një detyrë të qartë”, tha ai.

Kryeqeveritari shtoi se vazhdimi i punës së institucioneve është më konkret se kurrë e më i nevojshëm se asnjëherë më parë.

“Rruga para nesh nuk duhet të jenë pengesat, inatet apo refuzimet për të ecur përpara, por çka pritet prej nesh është miratimi i marrëveshjeve ndërkombëtare, agjenda legjislative që e përmirësojnë përditshmërinë e qytetarëve, politika publike në dobi të brezave që vijnë e që kërkojnë konsistencë e siguri juridike, dhe të gjitha këto nuk mund të mbahen peng të një krize të prodhuar politikisht. Vullneti i popullit ishte shprehur me 28 dhjetor në zgjedhje të lira e demokratike, tash ne duhet të flasim për vullnetin tonë për t’i shtyrë përpara punët e mira për qytetarët”.

Ai tha se qytetarët presin që të procedohet sa më shpejt m Byronë për Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme. “Sepse lufta kundër korrupsionit nuk është një kapitull që hapet e mbyllet sipas nevojës politike , por është një vijë e pandërprerë që e ndanë drejtësinë nga padrejtësia, diçka që qytetarët pa dallim politike e mirëpresin”, tha Kurti

Ai tha se çdo cent i keqpërdorur nga zyrtarët publik duhet t’i kthehet qytetarit.

“Nëse qytetari i zakonshëm duhet të japë llogari për çdo cent që e fiton, atëherë edhe ai që është pasuruar në mënyrë të pajustifikueshme duhet të japë përgjigje për çdo euro që ka abuzuar. Këtë nuk e bëjmë si një akt hakmarrje, por si një akt barazie. Sepse një shtet që nuk i dënon të fortit e padrejtë, në fakt i braktisë të dobëtit çdo ditë”, deklaroi Kurti.