VV-ja dhe AAK-ja nënshkruajnë marrëveshje bashkëpunimi në Prizren

VV-ja dhe AAK-ja nënshkruajnë marrëveshje bashkëpunimi në Prizren

Në Prizren është nënshkruar sot një marrëveshje bashkëpunimi ndërmjet Lëvizjes Vetëvendosje – Qendra në Prizren dhe Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), me qëllim të ndërtimit të një qeverisjeje të drejtë, transparente dhe zhvillimore për qytetin, transmeton KosovaPost.

Marrëveshja u nënshkrua nga kryetari i qendrës së Vetëvendosjes në Prizren dhe kryetari i AAK-së në këtë komunë, Besnik Krasniqi.

Sipas njoftimit, ky bashkëpunim ka për qëllim t’u shërbejë qytetarëve të Prizrenit dhe të garantojë që çdo projekt, investim apo vendim të jetë në dobi të komunitetit.

“Ky bashkëpunim ka vetëm një qëllim: t’i shërbejmë qytetarëve të Prizrenit dhe të garantojmë që çdo projekt, çdo investim e çdo vendim të jetë në dobi të komunitetit tonë. Prizreni është mbi çdo interes partiak”, thuhet në njoftim.

Në marrëveshje është theksuar përkushtimi për të punuar bashkë me përgjegjësi në fusha kyçe si:

zhvillimi ekonomik dhe infrastrukturor, arsimi dhe rinia, qeverisja e hapur dhe llogaridhënëse.

“Për qytetin tonë, për të ardhmen e përbashkët”, përfundon deklarata e përbashkët e nënshkruesve të marrëveshjes.