Bajqinovci: VV-ja respekton aktgjykimin e Kushtetueses, opozita po bllokon Kuvendin

VV-ja respekton aktgjykimin e Kushtetueses, opozita po bllokon Kuvendin

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Mefail Bajqinovci, ka folur në emisionin “Mesditë” në Tëvë1 pas përfundimit të seancës konstituive, duke komentuar për rrjedhën e procesit të votimit për kryeparlamentar dhe rolin e opozitës.

“Ne, ashtu siç kemi thënë, e kemi respektuar aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese dhe po del një fytyrë e vërtetë e opozitës, e cila me muaj të tërë thotë se ne nuk do ta votojmë Albulena Haxhiun. Pasi e kemi marrë aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese, kemi bërë lëvizjet e radhës dhe kemi vendosur para dy ditësh Donik Gërvalla, pastaj sot kemi zgjedhur Hekuran Muratin. Gjithçka bie dhe po shihet se është bllokadë dhe tendencë me muaj të tërë dhe do të vazhdojnë nga opozita, edhe pse ne vazhdojmë të ndryshojmë deputetë pa ndal,” ka thënë Bajqinovci.

Ai shtoi se përgjegjësia kryesore për bllokimin e Kuvendit bie mbi opozitën.

“Neve nuk mundet që opozita të na caktojë emrat. Edhe tashmë po shihet se fajtor kryesor për bllokimin e Kuvendit është opozita, edhe ata janë në sinkron me Listën Serbe dhe votojnë kundër,” ka thënë Bajqinovci.

Duke folur për seancën e radhës dhe mundësinë e kandidaturave të reja për kryeparlamentar përveç Muratit, Bajqinovci tha:
“Ne, ashtu siç kemi thënë, do të respektojmë aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese. Ka pasur zëra se VV-ja nuk po e respekton, mirëpo VV-ja gjithmonë e ka respektuar. Edhe ne do ta respektojmë gjithmonë dhe do të vendosim emrat që mendon VV-ja që duhet të shkojnë. Nuk mund të flas se kjo bëhet në strukturat e partisë,” ka deklaruar ai.