Lëvizja Vetëvendosje preferon që zgjedhjet lokale të mbahen në datat 5, 12 apo 19 tetor të vitit 2025.
Sipas kësaj partie, është jashtëzakonisht e rëndësishme që këto zgjedhje të mbahen sa më shpejtë.
Madje, në Lëvizjen Vetëvendosje janë të interesuar që në rast se s’ka zhbllokim të krizës politike të mbahen zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare të njëjtën datë me zgjedhjet lokale.
Eugen Cakolli nga Demokracia në Veprim në një prononcim për “Bota sot”, ka kritikuar idenë që zgjedhjet parlamentare dhe lokale të mbahen njëkohësisht, duke e cilësuar të papërgjegjshme dhe të rrezikshme për cilësinë e procesit zgjedhor.
Ai thotë se ky skenar nuk bazohet në arsye, por në krizën që partitë vetë e kanë krijuar, duke e parë si një manovër për të shmangur përgjegjësinë politike dhe për të justifikuar marrëveshje të reja paszgjedhore.
“Ideja që zgjedhjet parlamentare dhe ato lokale të mbahen në të njëjtën ditë është e papërgjegjshme dhe rrezikon të dëmtojë seriozisht cilësinë e procesit zgjedhor dhe përfaqësimit demokratik.
Tri fletëvotime për çdo qytetar, tri nivele kandidatësh, procedura të ndërlikuara, komisionerë të papërgatitur, ngarkesë për trupat menaxhuese të zgjedhjeve, dy lloj fushatash – dhe mbi të gjitha, paqartësi e madhe për votuesin. Për më tepër, rriten gjasat për gabime “teknike”, vota të pavlefshme, kontestime dhe rinumërime të gjata.
Ky skenar nuk po shtyhet përpara sepse është i arsyeshëm, por sepse partitë politike, e sidomos partia e parë, po kërkojnë një “zgjidhje” për krizën që vetë e kanë krijuar. Në vend që të merren vesh mbi bazën e mandatit të fituar më 9 shkurt, po orientohen drejt një formule që përzien dy procese të ndara, vetëm për të krijuar një rifillim artificial.
Zgjedhjet janë mjet i demokracisë – por nuk mund dhe nuk duhet të përdoren për të zëvendësuar përgjegjësinë politike” deklaron Cakolli për gazetën.
Të tjera
Punonjësit e Microsoft-it protestojnë kundër kompanisë për lidhjet me luftën e Izraelit në Gaza
Dogana sekuestron cigare, duhan e produkte ushqimore të kontrabanduara në Mitrovicë e Prishtinë
Kualifikueset e Botërorit 2026, programi i Kombëtares së Shqipërisë për shtator