Akademia e Arteve dhe Shkencave të Filmit ka bërë të ditur se duke filluar nga viti 2029, platforma “YouTube” do të ketë të drejtat globale për transmetimin e ceremonisë së ndarjes së çmimeve “Oscar” deri në vitin 2033, raporton Associated Press.
Televizioni ABC do të vazhdojë të transmetojë ceremoninë vjetore të “Oscar”-ëve deri në vitin 2028, vit që shënon edhe 100-vjetorin e çmimeve më prestigjioze të kinemasë botërore.
Me marrëveshjen e re, “YouTube” do të shndërrohet praktikisht në shtëpinë kryesore të të gjitha ngjarjeve që lidhen me “Oscar”-ët, përfshirë daljet në tapetin e kuq, Çmimet e Guvernatorëve dhe njoftimin e nominimeve.
“Jemi të emocionuar që po hyjmë në një partneritet global shumëvjeçar me ‘YouTube’, i cili do të jetë shtëpia e ardhshme e çmimeve ‘Oscar’ dhe e programimit të Akademisë gjatë gjithë vitit”, thanë drejtori ekzekutiv i Akademisë, Bill Kramer, dhe presidentja e saj, Lynette Howell Taylor.
Ata theksuan se Akademia është një organizatë ndërkombëtare dhe se ky partneritet do të mundësojë zgjerimin e aksesit të publikut global në ngjarjet e Akademisë, duke arritur audiencën më të madhe të mundshme në mbarë botën.
Ceremonia e Çmimeve të Akademisë do të transmetohet falas në mbarë botën në “YouTube”, përveç abonentëve të “YouTube TV”. Transmetimi do të ofrohet me audio në disa gjuhë, si dhe me titra.
ABC, në pronësi të kompanisë Walt Disney Co., ka qenë transmetuesi kryesor i “Oscar”-ëve për pothuajse të gjithë historinë e tyre. NBC e transmetoi për herë të parë ceremoninë në vitin 1953, ndërsa ABC i mori të drejtat në vitin 1961. Përjashtim bëjnë vitet 1971–1975, kur NBC e transmetoi sërish ceremoninë.
Sipas AP-së, ceremonia e çmimeve “Oscar” në vitin 2025 u ndoq nga 19.7 milionë shikues në ABC, një rritje e lehtë krahasuar me një vit më parë. Rekordi mbetet viti 1999, kur mbi 55 milionë shikues ndoqën ceremoninë ku filmi “Titanic”, me regji të James Cameron, fitoi çmimin për filmin më të mirë.
Duke zgjedhur “YouTube” përpara platformave të tjera si “Netflix” apo “NBC Universal/Peacock”, Akademia synon një audiencë shumë më të gjerë dhe më të re në moshë, ndonëse “YouTube” nuk ka një infrastrukturë tradicionale të prodhimit televiziv.
Sipas AP-së, gjithnjë e më shumë njerëz, veçanërisht të rinjtë, e ndjekin përmbajtjen përmes “YouTube”, më shumë se në çdo platformë tjetër transmetimi.



Të tjera
Takimet intensive sollën rezultate konkrete
Çfarë bëjnë të gjithë meshkujt kur tradhtojnë?
“Prishtina 2030” po merr formë, ICMG vlerëson përgatitjet e deritanishme