Zbulohen 50,000 euro të padeklaruara në pikën kufitare  Vermicë

Zbulohen 50,000 euro të padeklaruara në pikën kufitare Vermicë

Zyrtarët doganorë në Pikën Kufitare Vermicë kanë zbuluar një sasi të konsiderueshme të mjeteve monetare të padeklaruara gjatë një kontrolli të detajuar të një automjeti që po hynte në territorin e Republikës së Kosovës, transmetin KosovaPost.

Në njoftimin e bërë për media thuhet se gjatë procedurës së zakonshme doganore, udhëtari kishte deklaruar se nuk kishte asgjë për deklarim. Megjithatë, pas një kontrolli të hollësishëm në vijën e dytë, zyrtarët doganorë kanë zbuluar 50,000 euro në monedha metalike, të cilat ishin fshehur në pjesën e bagazhit të automjetit

“Në përputhje me legjislacionin në fuqi, Dogana e Kosovës ka ndërmarrë masat e parapara ligjore, ku është konfiskuar 25% e shumës së padeklaruar, ndërsa rasti është proceduar për hetime të mëtejshme pranë Sektorit të Hetuesisë”, thuhet në njoftim.

Më tej, Dogana e Kosovës apelon tek të gjithë qytetarët dhe udhëtarët që kalojnë përmes pikave kufitare të respektojnë obligimet ligjore dhe të deklarojnë çdo shumë që tejkalon 10,000 euro, në hyrje apo dalje nga territori i Republikës së Kosovës.

Dogana e Kosovës mbetet e përkushtuar në zbatimin e ligjit dhe në parandalimin e veprimeve që cenojnë integritetin financiar dhe sigurinë ekonomike të vendit.