Zbulohet se si i prodhon dhe përdor Rusia granatat kimike kundër Ukrainës

Zbulohet se si i prodhon dhe përdor Rusia granatat kimike kundër Ukrainës

Faqja online e Institutit të Kërkimeve Shkencore për Kimi të Aplikuar të Rusisë (NIIPH) ka shumë fotografi të fishekzjarrëve dhe njërës prej pajisjeve që e prodhon: fishekzjarrë në pako të zbukuruara me vizatime të një peme festive, një figurë të babagjyshit dhe fëmijë e krijesa të lezetshme.

Mirëpo, ky institut i sanksionuar nga Perëndimi, që gjendet në një qytezë jashtë Moskës, ka lidhje të forta me prodhimin dhe zinxhirin e furnizimit të ushtarëve me granata dhe armë tjera, të cilat i përdorin ata në luftën kundër Ukrainës

Raportimet e Skemave, njësitit hulumtues të Shërbimit ukrainas të Radios Evropa e Lirë, tregojnë se si Rusia është duke prodhuar granata RG-Vo dhe po i sulmon me to ushtarët ukrainas – pavarësisht sanksioneve dhe konventave ndërkombëtare që e ndalojnë përdorimin e tyre në fushëbetejë.

Hulumtimi i Skemave nxjerr në dritë më shumë hollësi për lidhjet në mes të kompanive kineze dhe përdorimit të këtyre armëve nga forcat ruse në zonat e civilëve, vepër e ndaluar.

E furnizuar me përbërës kryesorë prej fabrikave ruse që nuk janë ndëshkuar me sanksione prej Perëndimit për luftën në Ukrainë, NIIPH është duke prodhuar RG-Vo, një lloj granate me gaz toksik, e cila sipas ekspertëve është përdorur shpesh nga forcat ruse, sidomos prej fundit të vitit 2023.

Instituti importon materiale edhe prej jashtë, përfshirë fosforin e kuq prej kompanive kineze.

Fosfori i kuq mund të shndërrohet në fosfor të bardhë, armë potencialisht vdekjeprurëse, të cilën forcat ruse janë akuzuar se e kanë përdorur vazhdimisht prej nisjes së luftës më 2022. Përdorimi i tij në zona të banueshme nuk guxon të përdoret.

Skemat i kanë identifikuar edhe njësitet ruse që i kanë përdorur këto granata toksike, të cilat barten me dronë dhe e kanë mbishkrimin RG-Vo me shkronja cirilike – shkurtesë për mbishkrimin “granatë dore – substancë helmuese”.

Ato mund të përmbajnë lëndë të gazit lotsjellës, që përdoren shpesh nga agjentët kundër trazirave, mirëpo përdorimi i tyre ndalohet “si mjet lufte” sipas Konventës së Armëve Kimike, të cilën e kanë nënshkruar edhe Rusia, edhe Ukraina.

“Nuk mund të marrësh frymë”

Por, kjo është pikërisht ajo që ka bërë Rusia gjatë luftës, sipas Kievit, përkrahësve ndërkombëtarë, Organizatës për Ndalimin e Armëve Kimike dhe ushtarëve ukrainas të plagosur, të cilët janë goditur me gaz për t’iu ekspozuar më vonë zjarrit përvëlues.