Zelensky: Po negocioj një marrëveshje të madhe me Trumpin, kjo është një pikë kthese

Volodymyr Zelensky thotë se ai dhe presidenti amerikan, Donald Trump, po shqyrtojnë një marrëveshje të madhe për dronët, e cila do të kishte ndikim të rëndësishëm në bashkëpunimin ushtarak mes dy vendeve.

Sipas presidentit të Ukrainës, plani përfshin blerjen nga ana e Uashingtonit të dronëve luftarakë ukrainas, të cilët janë testuar dhe provuar në kushte reale lufte kundër forcave ruse.

Këta dronë, të zhvilluar gjatë përpjekjeve të vazhdueshme të Ukrainës për të mbrojtur territorin e saj, janë vlerësuar për efikasitetin, fleksibilitetin dhe koston më të ulët krahasuar me platformat perëndimore.

Në këmbim, Kievi do të blinte armë amerikane, duke përfshirë sisteme të avancuara mbrojtëse dhe sulmuese, të cilat do të ndihmonin në forcimin e mbrojtjes së vendit kundër agresionit rus.

Në një intervistë për New York Post, lideri ukrainas theksoi se kjo marrëveshje do të përmirësonte ndjeshëm aftësitë ajrore të të dyja vendeve.

Sipas tij, Ukraina do të përfitonte teknologji të re amerikane, ndërsa Shtetet e Bashkuara do të përfitonin nga përvoja dhe zhvillimi i teknologjive të testuara në një nga fushëbetejat më të vështira moderne.

Zelensky gjithashtu la të kuptohet se një bashkëpunim më i ngushtë me SHBA-të nën udhëheqjen e Trump mund të ndryshojë ekuilibrin e forcave në rajon.

Ndryshe, Ukraina dhe SHBA-ja tashmë kanë arritur një marrëveshje për shfrytëzimin e mineraleve ukrainase.