Në Tiranë u zhvillua protesta në mbështetje të ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës që po gjykohen nga Gjykata Speciale në Hagë. Vëmendje mori edhe pjesëmarrja e Kryetari i Komunës së Prishtinës, njëherësh edhe kandidat për një mandat të dytë në zgjedhjet e mbajtura më 12 tetor, Përparim Rama.
Opinionisti Idriz Zeqiraj, në një prononcim për “Bota sot”, ka thënë se pretendimet se ai mori pjesë në protestën e PAN-it për përfitim elektoral janë të pabaza, por pjesëmarrja në një protestë të tillë nuk e nderon atë.
“Është në vullnetin e subjekteve politike, për të emëruar kuadro në përfaqësim të partisë, qoftë kryetar komune apo ministër. LVV ka emëruar ministra që nuk kanë pasur asnjë kontribut partiak, por që e konsideruar kompetent për resorin ministral. Si duket një përzgjedhje të tillë e ka bërë edhe LDK, me emërimin fillestar, katër vjet më parë, duke e përsëritur edhe tani, për mandatin e dytë. Fundja, Përparim Rama, të paktën, në dy raste ka deklaruar se nuk është anëtar, por, përfaqëson LDK-në në detyrën e kryetarit të komunës. Madje, në një debat publik ka deklaruar se “kam votuar Shpend Ahmetin”, kur ai është kandiduar nga LVV, për kryetar të komunës së Prishtinës.
Prandaj, ajo që thonë lukunia lehaqene e anal-banalistëve në debate se Përparim Rama shkoi në protestën e PAN-it në Tiranë, për të fituar ndoca vota në balotazhin e pritshëm me LLV, nuk qëndron. Sepse ai ishte edhe në protestën e Prishtinës, kur nuk ishte në balotazh. Pjesëmarrja në një protestë trefishtë të turpshme, nuk nderon asnjë njeri dhe aq më pak kryetarin e komunës të Prishtinës, Përparim Ramen!”, ka thënë ai.
“E para, protestë partiake e PDK-AA-NISMA, pra, e PAN-it, kundër LVV dhe LDK-së;
E dyta, është protestë kundër shtetërore, sepse Gjykata Speciale e Kosovës, me seli në Hagë, është krijuar nga Parlamenti i Kosovës, me kërkesën ekskluzive të SHBA-së dhe të BE-së, kryesisht, të shteteve të Quintit;
E treta, protesta është tërësisht antidemokratike dhe kundra kombëtare, sulm i drejtpërdrejtë kundër drejtësisë vendore dhe ndërkombëtare, pengimin e saj, me mbrojtjen e krimit dhe të kriminelëve”, ka thekesuar ai.
Gjithashtu, Zeqiraj është shprehur se “komandantët” kriminelë erdhën në pushtet me dhunë dhe, pa ndërhyrjen ndërkombëtare, Kosova do të degjeneronte në diktaturë fashiste.
“”Komandantët” kriminelë, të instruktuar nga Sigurimsat e Enver Hoxhës, erdhën në pushtet me dhunë e përgjakje, me Qeverinë e Përkohshme, identike me partinë fashiste të monizmit shqiptar, të kompozuar në Bllokun e Zi të Tiranës. Dhe, po të mos ishin ndërkombëtaret në Kosovë, shteti do të degjeneronte në diktaturë fashiste. Pikërisht për këtë, për krimet e luftës dhe të pasluftës po gjykohen banda e Ndërmarrjes të Përbashkët Kriminale, në Gjykatën e Hagës.
Goditja e parë ishte rrënimi i Sistemit të Drejtësisë, pamundësoi ndëshkimi e krimeve vrastare të kundërshtarëve politikë dhe të makro-hajnisë zyrtare, përfshirë kontrabandën galopante të kastës të “komandantëve” kriminelë dhe bandave të tyre, në bashkëpunim me serbët e veriut të Kosovës. Ata i shkaktuan miliarda euro humbje buxhetit shtetëror, sipas përllogaritjeve financiare, të bëra nga Dogana e Kosovës! Paralizimi total i Sistemit të Drejtësisë në Kosovë dhe vazhdimi i vrasjes të dëshmitarëve në Kosovë, lindi nevojën e krijimit të Gjykatës Speciale, me seli në Hagë”, ka potencuar ai.
Të gjithë këta mercenarë, në shërbim të PAN-it, për të përfituar në balotazhin e pritshëm dhe përpjekja e dështuar, për rehabilitimin e krerëve sabotues të konsolidimit të shtetësisë të Kosovës. Destruktiviteti i kryeministrit namkeq shqiptar, Edvin Rama, mik besnik i presidentit serb, Vuçiq, aprovues i planeve ogurzeza të Serbisë, duke kulmuar me tradhtinë e madhe, së bashku me Hashim Thaçin, ndarjen e Kosovës. (Shih shkrimin: Tre banditërit me thika mbi hartën e Kosovës”).
Përveç qortimit të madh, e një pjesëmarrje në një maskaradë karnevaleske, siç ishte protesta, gjithë pompë e bujë, në Tiranë, ku u shpërfaqë hipokrizia dhe turpi i skajshëm. Përparim Rama, me kryekomunarët tjerë, penalizohen për abuzimin e parasë të popullit, duke vënë në dispozicion, për veprimtari private, autobusët shtetërorë, për bartjen e PAN-istëve dhe të dostave të tyre, “kolonë e pestë” në LDK dhe ndoca partiza tjera”, ka nënvizuar ai.
Tutje, Zeqiraj ka thënë se Organizatorët përdorën retorikën e drejtësisë për të justifikuar kërkesat për lirimin e menjëhershëm të “komandantëve”, duke etiketuar Gjykatën Speciale si “raciste dhe fashiste”.
Organizatorët delikuentë, kryesisht, të dënuar të kësaj kategorie, para nisjes për protestën e turpshme dhe kriminale unike, në Tiranë, mashtruan se “kërkojmë vetëm monitorimin dhe gjykimin e drejtë, pa ndërhyrje, pa ndikime, pa e paragjykuar dhe papenguar procesin gjyqësor”! Përkundrazi, në Sheshin “Skënderbeu” në Tiranë, Gjykatën Speciale të Kosovës, me seli në Hagë, e quajtën “raciste dhe fashiste”! Dhe, kërkuan me ultimatum lirimin e menjëhershëm të “komandantëve heronj të luftës”, pa hyrë në luftë fare!
Po citojmë kryeplakun e kësaj proteste, ish-presidentin shqiptar, Alfred Moisiu: “Asnjëri nuk ka kryer asnjë krim. Ata që nuk u bënë pjesë të kësaj proteste, i shërbejnë politikës serbe dhe ruse”. Dhe, aludimi i Gjeneralit, të shkollës ruse, ishte për LDK-në, Lëvizjen Vetëvendosje dhe Partinë Demokratike të Shqipërisë!”, ka deklaruar ai.
Në fund, Zeqiraj ka shtuar se Rama, megjithëse nuk identifikohet plotësisht me LDK-në, meriton respekt për profesionalizmin e tij.
“Të gjitha këto akuza dhe lumë të tjera i dëgjoi kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, gjithnjë i buzëqeshur dhe në përqafim me Ali Ahmetin e Zajazit, kryetar i BDI-së, në Maqedoninë e Veriut. Megjithatë, duke e lënë me një anë politikën dhe altruizmin e tij, amnistimin, faljen e krimeve dhe të kriminelëve, madje ata, pa u penduar dhe pa kërkuar falje, për krimet serike e makabre të tyre, lë të mbetet në ndërgjegjen e Përparimit.
Por, kandidimi për mandatin e dytë të kryekomunarit të Prishtinës, është diç tjetër, meqë ai ka preferencë të mos identifikohet me partinë, në rastin konkret, me LDK-në. E njoh familjen Rama, si familje konak dhe intelektuale e hershme, që nga vitet `60-a, kur shërbeja mësues në atë zonë. Zanatin e kryekomunarit, atëbotë, e ushtronte vëllai i gjyshit të Përparimit. -Tradita vazhdon-, siç thonë aktivistët e LDK-së. Edhe Kryesia e LDK-së nuk mund të fajësohet për kandidimin e tij, sepse ka menduar më shumë për të mirën e Prishtinës, duke besuar në novatorizmin profesional të Përparimit, se sa për partinë. Dhe, kjo është fisnikëri, në traditën e partisë Institucionale.
Kandidatët konkurrues për Prishtinën, kanë qenë të mrekullueshëm. Temë parësore problematike, paradoksalisht, ishin qentë dhe bërlloku! Me keqardhje, dy shtetet shqiptare: Kosovën dhe Shqipërinë po i hanë qentë dhe po i mbulon bërlloku! Kandidatët folën edhe për infrastrukturën dhe të tjera. Por, vizioni i arkitektit londnez, Perparim Rama, për veprën madhore, bërjen e unazës zhbllokuese për kryeqytetin është e veçantë, madje e domosdoshme, si dhe rrugë alternative. Ideja e hedhur e Arkitektit, qysh në fushatën e mandatit të parë, për frymëmarrjen e shpenguar, shëndetin e mushkërive të Prishtinës, fort të ngulfatur, bërja e stadiumit një mini-liqe, duke e shtrirë edhe në hapësirën rrethuese, është risi gëzimplote”, ka përfunduar Zeqiraj.



Të tjera
Shenjat që tregojnë se keni një personalitet unik
Osmani pas përfundimit të mandatit: “Do të vazhdoj nëse qytetarët e duan”
Osmani: Kosova nuk është e izoluar – Kam qenë pjesë e forumeve dhe kam vizituar shtete të ndryshme