Zëvendësministrja Gashi takon ministren franceze flasin për thellimin e bashkëpunimit dypalësh

Zëvendësministrja Gashi takon ministren franceze flasin për thellimin e bashkëpunimit dypalësh

Zëvendësministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Republikës së Kosovës,  Liza Gashi, në kuadër të vizitës zyrtare në Paris, u takua me Éléonore Caroit, ministre të deleguar pranë ministrit francez për Evropën dhe Punët e Jashtme, përgjegjëse për Frankofoninë, Partneritetet Ndërkombëtare dhe Shtetasit Francezë që jetojnë jashtë vendit.

Sipas njoftimit, takimi u zhvillua në një atmosferë miqësore dhe bashkëpunuese, duke reflektuar marrëdhëniet e ngushta dhe të qëndrueshme ndërmjet Kosovës dhe Francës.

“Në fokus të diskutimeve ishin thellimi i bashkëpunimit dypalësh, përfshirë angazhimin në kuadër të Organizatës Ndërkombëtare të Frankofonisë, bashkëpunimin në fushën e arsimit, kulturës dhe sportit, si dhe mbështetjen që Franca ka ofruar në organizimin e Lojërave Mesdhetare “Prishtina 2030″, si një hap i rëndësishëm në fuqizimin e partneritetit ndërmjet dy vendeve.”, thuhet në njoftimin e MPJD-së.

Gashi vlerësoi lartë mbështetjen e Francës për Kosovën dhe rolin e saj si mike dhe partnere e qëndrueshme e vendit tonë.

Ajo po ashtu shprehu mirënjohje për angazhimin e Francës në promovimin e
diplomacisë feministe dhe përfshirjes së grave në proceset vendimmarrëse ndërkombëtare, derisa theksoi përkushtimin e Kosovës për të kontribuar në këtë hapsirë kulturore e gjuhësore.

Palët u pajtuan të intensifikojnë bashkëpunimin në fushën e Frankofonisë, zhvillimit dhe diplomacisë kulturore, në frymën e miqësisë dhe vlerave të përbashkëta evropiane.

Zëvendësministrja Gashi gjatë këtij takimi u shoqërua nga Ambasadori i Republikës së Kosovës në Francë, Mehdi Halimi