Bedri Hamza kryetari i ri i PDK-së

Zgjedhja e Presidentit kërkon unitet dhe mbështetje të gjerë

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza, ka deklaruar përmes një postimi në Facebook se zgjedhja e Presidentit nuk është çështje e një partie të vetme, por e të gjithë përfaqësuesve të zgjedhur të popullit.

Ai ka bërë të ditur se i është përgjigjur pozitivisht ftesës së kryeministrit Albin Kurti për të diskutuar mbi zhvillimet politike dhe procesin e zgjedhjes së Presidentit të ri të vendit.

Hamza theksoi se si subjekt opozitar, PDK-ja nuk ka qenë dhe nuk është pengesë e proceseve shtetërore, por nuk do të mbështesë kandidatura që, sipas tij, nuk përfaqësojnë unitetin qytetar në frymën kushtetuese.

Ai u shpreh se pret reflektim nga ata që kanë përgjegjësinë kushtetuese për të propozuar kandidatura me mbështetje të gjerë, duke shmangur kalkulimet afatshkurtra partiake, duke shtuar se stabiliteti institucional është jetik dhe duhet trajtuar si i tillë.

Sipas Hamzës, interesi shtetëror është mbi çdo kalkulim politik dhe ky standard, siç tha ai, do të mbrohet me vendosmëri.