Ngërҫi politik në Kosovë ende nuk është zgjidhur. Ndonëse Kuvendi i Kosovës tashmë ka kryetarin e saj, Dimal Bashen nga Vetëvendosja, ende nuk është kompletuar edhe një nënkryetar. Në këtë pozitë ka mbetur pa u zgjedhur një deputet nga komuniteti serb.
Kësisoj, kriza politike ende nuk është zgjidhur. Si një mundësi zgjidhjeje, po përmenden ende zgjedhjet e reja.
Analisti politik, Nexhat Bexheti, ka vlerësuar se situata aktuale politike në Kosovë ka kaluar pikën kritike me zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit, por ngërçi politik ende nuk është tejkaluar.
“Kriza e parë u kapërcye me konstituimin e pjesërishëm të Kuvendit, por mbetet peng zgjidhja e çështjes së nënkryetarit nga komuniteti serb. Opozita po manifeston obstruksione me pretekste kushtetuese, duke luajtur me metodën ‘ftohtë-nxehtë’,” deklaroi Bexheti.
“Opozita haptazi thotë se nuk do ta votojë qeverinë dhe kryeministrin, me qëllim që vendi të shkojë në zgjedhje të reja. Ata nuk kanë çfarë të humbasin, por humbja më e madhe bie mbi qytetarët e Kosovës,” u shpreh ai.
Megjithatë, analisti thekson se zgjedhjet e reja nuk do të ishin zgjidhje.
“Edhe nëse mbahen zgjedhje, nuk dihet rezultati final. Mund të përsëriten të njëjtat numra, dhe asnjëra parti nuk do të përfitojë ndjeshëm. Do të detyrohen të krijojnë sërish koalicione të reja, ndërsa ekonomia e vendit nuk ka luks për destabilitet të tillë,” theksoi Bexheti.
Ai shtoi se pasiguria politike dëmton seriozisht ekonominë dhe bizneset vendore.
Në lidhje me çështjen e nënkryetarit serb të Kuvendit, Bexheti tha se kjo nuk duhet parë si humbje për Kosovën.
“Është e rëndësishme që edhe një pjesë e vogël e komunitetit serb të integrohet në institucionet e shtetit. Kjo e forcon reputacionin ndërkombëtar të Kosovës si shtet demokratik. Nuk duhet të mbesim peng i së kaluarës, por të ecim përpara pa paragjykime,” përfundoi ai.



Të tjera
39 vjeç, mosha kur partneri ka më shumë gjasa t’ju tradhtojë
Mjekja e Jolies tregon si të mposhtet kanceri
Pse gratë përballen me depresion pas lindjes