Kryeministri në detyrë, Albin Kurti ka thënë se vendi po shkon në zgjedhje të reja pa vullnetin e Vetëvendosjes dhe pa dëshirën e tij personale, duke e fajësuar opozitën për mungesë bashkëpunimi.
“Jam i nderuar që më besuat edhe një herë si kandidat për kryeministër. Jemi para zgjedhjeve të reja pa dëshirën time dhe pa vullnetin e Lëvizjes Vetëvendosje, si pasojë e refuzimit të bashkëpunimit të partive të tjera me ne. Asnjëra prej tyre nuk po arrin ta pranojë realitetin. Së pari më refuzuan mua, pastaj refuzuan edhe Glauk Konjufcën. Të dyja herët votuan bashkë kundër qeverisjes së Vetëvendosjes”, tha Kurti pas nominimit nga partia e tij për kryeministër në zgjedhjet e 28 dhjetorit, shkruan Arbresh.info.
Në fjalën e tij, Kurti akuzoi opozitën për refuzimin e votimit të buxhetit për vitin 2026, të marrëveshjeve ndërkombëtare e buxhetin e RTK-së.
“Së pari më refuzuan mua, pastaj e refuzuan edhe Glauk Konjufcën për kryeministër. Votuan bashkë kundër qeverisë së Vetëvendosjes. E refuzuan konstituimin, e refuzuan bashkëpunimin, e refuzuan Qeverinë Kurti 3, e refuzuan Konjufcën 1, por gjithashtu janë të njëjtit që refuzuan edhe Albulena Haxhiun, gruan më të votuar në legjislaturën e 9 për kryetare të Kuvendit. Të njëjtit refuzuan edhe votimin e marrëveshjeve ndërkombëtare, refuzuan buxhetin e komunave Prishtinë, Gjilan dhe Zubin Potok, refuzuan ta financojnë RTK-në dhe refuzuan buxhetin 4 miliardësh për vitin 2026”, tha Kurti.
“Dhe sot, të bashkuar pas krejt këtyre refuzimeve gjendemi para zgjedhjeve të reja me rreziqet e krizave financiare, prej RTK-së te tri komunat e Kosovës, dhe sidomos para një dëmi prej 1.1 miliardë euro pas refuzimit të marrëveshjeve ndërkombëtare qofshin ato me Bankën Botërore apo Plani i Rritjes së BE-së”, tha Kurti.
Ndonëse qytetarët po ballafaqohen me mungesa të pagave, Kurti theksoi se në Kosovë nuk ka krizë ekonomike e financiare.
“Kjo nuk është situatë që ne e kemi dashur apo menduar. Por përfunduam këtu sepse këto parti, pas bllokimit për dhjetë muaj, po duan ta shndërrojnë krizën legale në krizë sociale. Njerëzit të mbesin pa paga, të mos mund t’i marrin shtesat me rritje, të krijohen borxhe dhe mungesa në pagesat për operatorët ekonomikë. Krizë ekonomike e financiare në vendin tonë nuk ka”, deklaroi ai.



Të tjera
Majdanozi, vlerat e rralla për veshka të shëndetshme
Karota parandalon kancerin
Pesë shenja që tregojnë se duhet të eliminoni glutenin nga dieta juaj