Realizimi i auditimit të performancës “Funksionimi, licencimi dhe mbikëqyrja e Institucioneve Parashkollore”, për periudhën 2022–2024 nga Zyra Kombëtare e Auditimit, ka evidentuar mangësi në procesin e licencimit, mbikëqyrjes dhe monitorimit të institucioneve parashkollore, transmeton KosovaPost.
ZKA-ja thotë se subjekt i këtij auditimi ishin Ministria e Arsimit Shkencës Teknologjisë dhe Inovacionit si dhe Drejtoritë Komunale të Arsimit në Prishtinë, Prizren dhe Gjakovë.
“Rezultatet e auditimit tregojnë se pavarësisht iniciativave dhe përpjekjeve për të avancuar edukimin në fëmijërinë e hershme, sistemi aktual përballet me sfida. Ka mungesë të infrastrukturës ligjore sekondare, si dhe të mekanizmave funksional për monitorim dhe licencim”, thuhet në njoftimin e ZKA-së për këtë auditim performance.
Tutje, është evidentuar se MASHTI nuk ka arritur të vendosë një proces efektiv për funksionimin dhe mbikëqyrjen e institucioneve parashkollore.
“Ministria nuk ka siguruar një proces të rregullt, të drejtë dhe të barabartë të licencimit të institucioneve parashkollore”, thuhet tutje në njoftim.
Ndërkohë, ZKA-ja thotë se në nivel lokal, përkundër disa përparimeve në ndërtimin e objekteve dhe monitorim të pjesshëm, mungesa e planeve zhvillimore, rregulloreve të funksionimit dhe përfshirjes së plotë të grupmoshave e pengon funksionimin e qëndrueshëm dhe cilësor të institucioneve parashkollore.
“Lidhur me këtë auditim, auditorja e Përgjithshme, Vlora Spanca, ka deklaruar se proceset për funksionimin dhe licencimin e institucioneve parashkollore nuk janë efektive dhe nuk sigurojnë zhvillimin e duhur. Zyra Kombëtare e Auditimit ka dhënë tetë rekomandime për përmirësimet e nevojshme në nivelin e edukimit parashkollor”, thuhet në njoftimin e ZKA-së.
Të tjera
Polonia i tregon Rusisë grushtin
Sllovenia ia ndalon hyrjen Dodikut
Grejpfruti – antibiotik natyral