Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS), ka kërkuar t’iu vazhdohet paraburgimi edhe për dy muaj të tjerë Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, të cilët së bashku me Hashim Thaçin akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.
Prokuroria i ka dorëzuar kërkesat e ndara për Veselin, Krasniqin dhe Selimin më 27 tetor 2025 tek trupi gjykues në këtë rast, në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë, raporton “Betimi për Drejtësi“.
Për tre të akuzuarit, Prokuroria thotë se që nga vendimi i fundit për vazhdimin e paraburgimit, nuk ka pasur ndonjë zhvillim që zvogëlojnë faktorët që e mbështesin arsyeshmerinë e kësaj mase.
Përkundrazi, Prokuroria thotë se me përfundimin e paraqitjes së provave të tyre dhe mbrojtësit të viktimave, po ashtu edhe zbulimi i informacioneve shtesë të ndjeshme në lidhje me dëshmitarët dhe viktimat pjesëmarrëse, rrit rrezikun e arratisjes, pengimit të procedurave dhe kryerjes së krimeve të mëtejshme.
“Veseli vazhdon të paraqesë një rrezik të pengimit të procedurave, siç ka përfunduar së fundmi ky Trup gjykues. Përfundimi i çështjes së ZPS-së nuk e eliminon këtë rrezik, pasi të akuzuarit tashmë e dinë të gjithë gamën e çështjes kundër tyre dhe dëshmitarët mbeten në rrezik pengimi edhe pas dhënies së dëshmisë. Trupi gjykues ka vënë re se rreziku i pengimit përfshin gjithashtu: (a) çdo përpjekje për hakmarrje kundër dëshmitarëve; (b) përpjekje për të motivuar një dëshmitar të tërheqë dëshminë; dhe (c) përpjekje për të ndërhyrë ndaj dëshmitarëve në procedura paralele”, thuhet në kërkesën për vazhdimin e paraburgimit ndaj Veselit.
Përveç kësaj, thuhet se paraburgimi ndaj tre të akuzuarve është proporcional dhe i arsyeshëm, si dhe asnjë masë tjetër alternative nuk do t’i zbuste mjaftueshëm rreziqet që dalin gjatë këtij procesi.
“Trupi gjykues vëren se incidentet dhe ngjarjet që kanë ndodhur në kohën që kundërshtohen prej mbrojtjes nuk janë akuza brenda kuptimit të Rregullës 130”, tha kryetari i trupit gjykues, Charles Smith III.
Përveç që dëshmuan më 16 korrik 2025, dëshmia e këtyre dy dëshmitareve vazhdoi edhe më 17 korrik 2025, duke përfunduar kështu edhe marrja e dëshmive të dëshmitarëve të mbrojtjes së viktimave.
Zyra e Prokurorit të Specializuar, më 30 shtator 2022 ka dorëzuar aktakuzën e konfirmuar të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, e cila përbëhet nga dhjetë pika me akuza, ku këta të fundit ngarkohen për krime lufte e krime kundër njerëzimit.
Më 29 prill 2022, Zyra e Prokurorit të Specializuar kishte dorëzuar një aktakuzë të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit, ku pretendohet se katër të akuzuarit kanë kryer krime lufte edhe në Gjilan, Budakovë e Semetishtë.
Më 9 nëntor të vitit 2020, në paraqitjet e tyre të para, Jakup Krasniqi e Hashim Thaçi janë deklaruar të pafajshëm për akuzat që u vihen në barrë. Njëjtë është deklaruar edhe Veseli në paraqitjen e tij më 10 nëntor, sikurse edhe Rexhep Selimi më 11 nëntor.
Aktakuza ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit është konfirmuar më 26 tetor 2020.



Të tjera
10 shenja që partneri është shumë më kontrollues seç duhet!
Zhdukeni dhjamin me vetëm 2 përbërës
Bizelet e zvogëlojnë stresin