Duke u bazuar në dy kritere, nga 1 Qershori i vitit të kaluar rreth 1300 biznese të mëdha u nxorën në tregun e hapur të energjisë elektrike.
Sipas njoftimit të Zyrës së Rregullatorit për Energji, konsumatorët komercialë me “më shumë se 50 punëtorë ose më shumë se 10 milionë euro qarkullim vjetor” u larguan nga Shërbimi Universal.
Përkundër që ka biznese që kanë pësuar ndryshime në raport me këto dy kritere, ato nuk janë kthyer në furnizimin me tarifa të rregulluara.
Në anën tjetër, ato që nuk i kanë përmbushur kriteret vitin e kaluar, por ndërkohë kanë tejkaluar numrin prej 50 punëtorësh ose 10 milionë eurosh qarkullim vjetor, vazhdojnë furnizimin me tarifa të rregulluara sikurse konsumatorët shtëpiakë.
Në një përgjigje për TV Dukagjini, Zyra e Rregullatorit për Energji foli vetëm për “fazën e radhës të daljes” në tregun e hapur.
“Procesi i përditësimit të listës së konsumatorëve sipas kritereve ligjore ende nuk ka filluar. Faza e radhës e daljes së konsumatorëve në tregun e hapur është planifikuar të nisë më 1 prill të këtij viti, dhe do të bazohet në të dhënat zyrtare që do të merren nga ATK-ja për këtë qëllim”, thuhet nga ZRRE.
Por, ZRRE-ja nuk u përgjigj për kthim në tarifa të rregulluara të bizneseve që kanë rënë në më pak se 50 punëtorë dhe më pak se 10 milionë euro qarkullim vjetor.
Teksa tha se ZRRE-ja ende nuk ka nxjerrë udhëzues të ri, pas shfuqizimit nga Gjykata Supreme, kryetari i Shoqatës së Prodhuesve Kushtrim Ajvazi kërkoi qartësi para se të vazhdohet me procesin.
“Nuk është zbatuar vendimi i Gjykatës Supreme, ne kemi vazhduar me padi individuale për zbatimin e vendimit të Supremes dhe aktualisht po jep informata që kanë me dalë në tregun e lirë nga data 1 Prill! Cilat biznese kanë me dalë me 1 Prill? Ende nuk kemi udhëzues, thjeshtë është duke vazhduar ky sistem i pakuptimtë, që duhet të zgjidhet”, ka theksuar Kushtrim Ajvazi, kryetar i Shoqatës së Prodhueseve.
Në këtë kontekst, ai tha se “në bazë të kalkulimeve në aspektin ligjor janë mbi 1000 biznese që nuk e plotësojnë kriterin ligjor dhe janë nxjerrë në tregun e lirë”.
“T’i nxjerrim udhëzuesit. Ta dimë duhet me dalë? Kur kalkulohet numri i punëtorëve? Si kalkulohet numri i punëtorëve për kompani?! Sepse kemi pasë situata kur kompania ka angazhuar një apo dhjetë trajnerë gjatë vitit e janë deklaruar si punëtorë, e ka kaluar numrin 50 dhe ka hy automatikisht në tregun e lirë. Është e pakuptimtë. Nuk ka ende udhëzues, çka ndodhë tash me ata që nuk e kanë plotësuar kriterin e janë ende në tregun e lirë, a kanë me u kthye në tregun e rregulluar? As këtu nuk ka informata”, ka theksuar ai.
Rënia e eksportit, dobësimi në raport me konkurrencën dhe rritja e çmimeve, si pasojë direkte e kostos së rritur të energjisë elektrike nga dalja në tregun e hapur, sipas Shoqatës së Prodhuesve, janë disa prej pasojave të evidentuara deri tash.



Të tjera
Bie fasada e ndërtesës në Fushë Kosovë, lëndohet një person
Nga nesër ndërpritet qarkullimi i kamionëve në të gjitha pikat kufitare me Serbinë
Mëngjesi – vakt i shëndetshëm, të cilin nuk bën ta humbisni