Niveli i ri i tarifës për mallrat zvicerane është ndër më të lartët në botë dhe tejkalon normën 31 % të shpallur nga Donald Trump në prill.
Qeveria e Zvicrës ka dënuar vendimin e Donald Trump për të vendosur një tarifë prej 39 për qind ndaj vendit, një normë e lartë që çoi në rënien e frangës zvicerane të premten dhe la ligjvënësit në “shok”, raporton Financial Times.
Qeveria zvicerane tha se kjo masë ishte “për të ardhur keq”, pavarësisht përpjekjeve të saj për të zhvilluar negociata konstruktive me SHBA-në.
“Nuk është e qartë se çfarë kërkon SHBA-ja nga ne,” tha një ligjvënës zviceran, duke shtuar se ishte e drejtë të thuhej se qeveria ndodhej në një “gjendje shoku”.
Norma e re për Zvicrën është edhe më e lartë se 31 përqindëshi që u shpall nga presidenti amerikan gjatë “ditës së çlirimit” në prill.
“Zvicra ka qenë dhe mbetet në kontakt me autoritetet përkatëse të SHBA-së. Ajo vazhdon të kërkojë një zgjidhje të negociuar në përputhje me ligjin zviceran dhe detyrimet ndërkombëtare,” tha qeveria, duke shtuar se do të analizojë situatën e re dhe do të vendosë për hapat e ardhshëm.
Zvicra ka një afat të ngushtë për të negociuar përpara 7 gushtit, që është afati i ri i caktuar nga SHBA.
Presidentja zvicerane Karin Keller-Sutter tha në platformën ‘X’ se kishte folur me Donald Trump të enjten.
“Prioritet i presidentit është deficiti tregtar. Nuk u arrit asnjë marrëveshje për memorandumin e mirëkuptimit që ishte negociuar mes Zvicrës dhe SHBA-së,” tha ajo.
Rezultati ishte një surprizë pas optimizmit të hershëm në Bernë se Zvicra mund të ishte një nga vendet e para që do të arrinte një marrëveshje tregtare me Uashingtonin, pasi kishte paraqitur propozimet disa javë më parë.
Norma e re e tarifës e bën Zvicrën një përjashtim në Evropë, pasi Mbretëria e Bashkuar arriti tarifa 10 për qind dhe BE-ja 15 për qind për shumicën e mallrave të eksportuara drejt SHBA-së.
“Arsyeja më e besueshme është rritja e suficitit tregtar të Zvicrës me SHBA-në në vitin 2024,” tha Simon J. Evenett, profesor në shkollën e biznesit IMD në Lozanë.
“Vitin e kaluar u pa një rritje prej 56 për qind në suficitin tregtar të mallrave zvicerane me SHBA-në krahasuar me totalin e vitit 2023. Tarifa origjinale prej 31 për qind ishte llogaritur mbi shifrat e vitit 2023,” shtoi ai.
Vitin e kaluar, Zvicra eksportoi 60.9 miliardë dollarë mallra në SHBA. Këto përfshinin kryesisht produkte farmaceutike, pajisje mjekësore, kafe, orë dhe ar. Vetëm ari – eksporti më i madh – përbënte 11.5 miliardë dollarë nga kjo shumë.
Kjo masë mund të sjellë një goditje të dyfishtë për industrinë e madhe farmaceutike zvicerane, e cila dërgon rreth 60 për qind të eksporteve të saj në SHBA. Kompanitë farmaceutike zvicerane Novartis dhe Roche kanë premtuar miliarda dollarë investime në SHBA këtë vit.
Megjithatë, Novartis dhe Roche — përmes degës së saj amerikane Genentech — ishin ndër kompanitë që morën letra nga Trump këtë javë, duke u kërkuar të ulin çmimet e barnave.
Norma e tarifës 15 për qind e BE-së për shumicën e mallrave u negociua me sukses nga 30 për qind pas qindra orësh diskutimesh dhe premtimeve për të ulur tarifat e veta ndaj produkteve industriale amerikane.
Blloku gjithashtu premtoi të investojë 600 miliardë dollarë në SHBA dhe të blejë energji në vlerë 750 miliardë dollarë gjatë tre viteve — një shifër që analistët e kanë përshkruar si të paarritshme.
Megjithatë, BE-ja ende nuk ka marrë një datë të saktë për deklaratën e përbashkët që do të përcaktojë përjashtimet nga norma 15 për qind, e cila fillimisht ishte planifikuar për të premten. “Po punojmë për të,” tha një zyrtar i BE-së.
Të tjera
Asfaltimi në “Rrugën A” ndez tensione, disa persona shoqërohen nga policia
Inteligjenca Artificiale rrit papunësinë në të rinjtë shqiptarë me arsim të lartë
U nda nga jeta ish-gjyqtari i futbollit dhe hendbollit Feriz Parllaku