Më 24 shtator u shënuan dy vjet nga sulmi i armatosur në fshatin Banjskë të Zveçanit – një nga ngjarjet më të rënda të sigurisë që ka përjetuar Kosova në periudhën e pasluftës.
Ky akt i dhunshëm, i organizuar nga grupe të armatosura serbe kundër Policisë së Kosovës, solli vrasjen e rreshterit Afrim Bunjaku, i cili ra në krye të detyrës.
Hetimet për këtë akt të agresionit të mirorganizuar vazhdojnë ende, ndërsa figura kyçe e këtij sulmi u identifikua si Millan Radoiçiq, atëkohë nënkryetar i Listës Serbe.
Radoiçiq publikisht mori përgjegjësinë për organizimin e sulmit, por përtej tij, në ditët e fundit janë shtuar dyshimet për përfshirjen edhe të zyrtarëve të tjerë të kësaj partie politike serbe.
Burjani: KQZ obligohet të verifikojë dënimet e kandidatëve

Njohësi i çështjeve juridike, Blerim Burjani, në një prononcim për “Bota sot”, ka thënë se, sipas Ligjit për zgjedhje, vetëm një aktgjykim i formës së prerë mbi 6 muaj burg paraqet pengesë për kandidim apo marrje të një posti politik.
“Ligji për zgjedhje është i qartë: nëse është dënuar mbi 6 muaj burg, nuk mund të jetë kandidat për t’u zgjedhur, apo nëse ka dënim të plotfuqishëm. Hetuesia është diçka tjetër. Pra, vetëm një aktgjykim i formës së prerë, përfundimtar, mund të ndalojë kandidimin apo marrjen e një posti politik. Pra, aktgjykimi i formës së prerë / përfundimtar paraqet pengesën për marrjen e një posti politik apo kandidimin”, ka thënë ai.
Duhanaj: KQZ nuk mund të veprojë pa prova nga institucionet e sigurisë

“Pa marrë parasysh për çfarë pretendimesh bëhet fjalë, në demokraci dhe rregullat e saja, çdo dyshim mbetet vetëm si i tillë, përderisa nuk ka ndonjë dëshmi dhe vendim të prerë, qoftë nga aktiviteti prokurorial qoftë vendim i gjyqësorit.
Sigurisht që mund të ketë qenë pjesë aktive e aktit të agresionit në Bajnska, por këtë çështje, nuk mund ta zgjidh KQZ.
KQZ mund të merr vendim, vetëm në rast që institucionet e sigurisë japin dëshmi të vërtetuara që i njëjti nuk bën të jetë kandidat”, ka thënë ai.
Duhanaj ka theksuar se, edhe nëse Petroviç zgjidhet kryetar, në rast se i dëshmohet përfshirja në agresionin ndaj Kosovës, ai duhet të përballet me drejtësinë, pavarësisht pozitës politike.
Ai shtoi se problemet më të mëdha Kosova i ka me vetveten, jo me Serbinë, e cila nuk mund ta dëmtojë vendin pa ndihmën e shqiptarëve.
“Në anën tjetër, këtu jemi duke folur për dy procese të kundërta.
Edhe nëse z. Peroviç rezulton të jetë kryetar i zgjedhur, dhe nëse nga organet e hetuesisë i dëshmohet pjesëmarrja aktive në agresionin ndaj Kosovës, duhet nxjerrë para drejtësisë, pa marrë parasysh pozicionit të tij politik”, ka vlerësuar Duhanaj.
Ndryshe, Prokuroria Speciale e Kosovës e ka mohuar se Simiq dhe Peroviç janë nën hetime.



Të tjera
Dhjetë gjëra të cilat nuk duhet t’i mbani në bodrum
Largoni zbokthin në kushte shtëpie
Shprehitë që janë duke jua dëmtuar trurin