12 kadetë të FSK-së diplomojnë dhe betohen si oficerë të rinj

12 kadetë të FSK-së diplomojnë dhe betohen si oficerë të rinj

Dymbëdhjetë kadetë të Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) kanë diplomuar dhe kanë dhënë betimin solemn në një ceremoni të mbajtur në Kazermën “Adem Jashari” në Prishtinë, duke u graduar me gradën nëntoger.

Kadetët përfunduan me sukses studimet katërvjeçare në programin ushtarak në Qendrën për Studime Universitare pranë Akademisë së Mbrojtjes së FSK-së, si dhe përgatitjen akademike në Universitetin Amerikan në Kosovë.

Në ceremoni morën pjesë ushtruesja e detyrës së Presidentes së Republikës së Kosovës, Albulena Haxhiu, Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, Komandanti i FSK-së, gjenerallejtënant Bashkim Jashari, zyrtarë të lartë të FSK-së, përfaqësues institucionalë, partnerë ndërkombëtarë dhe familjarë të kadetëve.

Sipas FSK-së, ceremonia nisi me raportimin para ushtrueses së detyrës së Presidentes dhe Komandantit të FSK-së, ndërsa u përmbyll me betimin e gjeneratës 2026.

Me marrjen e gradës nëntoger, oficerët e rinj do t’i bashkohen radhëve të Forcës së Sigurisë së Kosovës, duke marrë përgjegjësi udhëheqëse në shërbim të vendit.

“Diplomimi dhe betimi përfaqëson një moment të rëndësishëm në zhvillimin e kapaciteteve profesionale të FSK-së dhe një dëshmi të përkushtimit për ndërtimin e një force moderne, të aftë dhe në përputhje me standardet më të larta ushtarake”, theksohet në fund të njoftimit./teve1.info/