Ushtria serbe lëvizi 50 metra afër kufirit, vjen paralajmërimi për Kosovën: Vuçiqi po e imiton…!

Serbia nuk e ka ndërmend t’i ndalojë provokimet dhe kërcënimet ndaj Kosovës.
Kur kanë kaluar pak ditë nga përvjetori i sulmit terrorist në Banjskë, shteti serb dje bëri një lëvizje provokuese.

Ishte Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i cili njoftoi dje se shteti serb bëri provokimin e radhës, “duke lëvizur trupat e saj rreth 50 metra afër vijës kufitare me Kosovën”, më saktësisht afër Komunës së Kamenicës.

Duke shpërndarë disa fotografi në rrjetin e tij social, Facebook, i pari i qeverisë bëri të ditur se trupat ushtarake serbe janë larguar pasi kanë vërejtur se autoritetet e Kosovës i kanë incizuar veprimet e tyre.

“Qeveria e Republikës së Kosovës ka bërë investime të paprecedenta në ngritjen dhe përmirësimin e kapaciteteve të strukturave të inteligjencës, sigurisë dhe mbrojtjes, të cilat janë të gatshme për të parandaluar çdo kërcënim ndaj integritetit territorial dhe sovranitetit të shtetit tonë”.

Kurti ka thënë se Serbia po vazhdon të nxisë tensione nëpërmjet veprimeve hibride, me qëllim të destabilizimit të rajonit, “megjithëse hapësira për këto manovra po i ngushtohet dita-ditës”.

Se çfarë mund të pritet nga shteti serb pas këtij provokim dhe se si duhet reaguar ndërkombëtarët ndaj këtyre veprimeve tendecioze të ushtrisë së Vuçiqit, folën ekspertët e sigurisë për “Bota sot”.

Halimi: Bashkësia ndërkombëtare, duhet të reagoj ndaj provokimeve të tilla nga Serbia me masa sanksionimi

Fillimish, Armend Halimi nga Instituti për Studime të Sigurisë ISS, u shpreh se përmes lëvizjes së fundit të ushtarëve të saj, Serbia po e imiton Rusinë.

Image

Armend Halimi

Megjithatë, ai nuk beson se shteti serb mund ta sulmojë Kosovën, si Rusia-Ukrainën, pasi është NATO prezente.

Sipas tij, kjo ishte një lëvizje më shumë diplomatike, për të bërë trysni ndaj shtetit tonë.

“Lëvizja e trupave të ushtrisë serbe është një imitim i Rusisë para se ta sulmojë Ukrainën, mirëpo që aktualisht nuk ka gjasa të ndodhë e njëjta sikurse ngjau atje. Më tepër ky është një ‘mjet diplomatik’, që përdoret si trysni ndaj vendit tonë, mirëpo gjersa kemi trupat e NATO-s këtu dhe gjersa Rusia nuk shënon sukses në luftën e Ukrainës, nuk ka rrezik sulmi”.

Krahas kësaj, ai kërkoi ehde reagim ndërkombëtar dhe sanksionim të Serbisë, pas këtyre provokimeve.

“Mirëpo, me ndryshimin e rrjedhave në Ukrainë apo zhvillimeve të përgjithshme ndërkombëtare që shkojnë në vatra të shumta të konflikteve, edhe mundet Serbia të provojë ndonjë aneksim, mirëpo e përsërisë jo duke u bazuar në fuqinë e saj, por me shpresë të ndihmës nga Rusia.

Ndërsa, bashkësia ndërkombëtare, natyrisht që duhet të reagoj ndaj provokimeve të tilla nga Serbia me masa konkrekte sanksionimi”, përfundoi Armend Halimi për “Bota sot”.

Softa: Qëllimi i Vuçiq është të nxisë tensionet mes dy vendeve

Kurse, eksperti i sigurisë, Fatjon Softa potencoi se bazat e ushtrisë serbe që janë afër kufirit me Kosovën, përmbëjnë një kërcënim serioz.

Image

Fatjon Softa

Ai përmendi edhe disa detaje mbi funksionimin dhe përbërjen e këtyre bazave, derisa theksoi edhe kërkesën që Kurti ditë më parë ua kishte bërë NATO-s.

“48 baza të ushtrisë serbe ekzistojnë përgjatë kufirit. Janë në një distancë nga 300 m deri në 5 km brenda kufirit të Serbisë. Ato përbëjnë kërcënim. Bazat janë të drejtuar armiqësisht drejt territorit të Kosovës dhe janë 3 nga 4 brigadat e këmbësorisë serbe të vendosura në jug të Serbisë.

Janë rreth 4000 trupa në këto baza, të pajisura me armatim dhe mjete për sulme ushtarake

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka kërkuar nga NATO që ta kthejë zonën tokësore të sigurisë në një perimetër prej 5 kilometrash përgjatë kufirit të Kosovës me Serbinë”.

Gjithashtu, eksperti potencoi se Serbia po vazhdon të nxisë tensione, pasi Vuçiq dëshiron të përfitojë nga tensionet në Lindjen e Mesme.

“Serbia vazhdon të nxisë tensione nëpërmjet veprimeve hibride, duke synuar destabilizimin e rajonit, megjithëse hapësira për këto manovra po i ngushtohet dita-ditës.

Kjo rikthehen tensionet mes Kosovës dhe Serbisë, duke parë që e gjithë bota po përqëndrohet te lufta në Lindjen e Mesme, Vuçiq duket se ka përfituar nga ky shpërqëndrim për të provokuar. Qëllimi i Vuçiq është të nxisë tensionet mes dy vendeve.

Situata e rënduar e konflikteve në Ukrainë, Lindje të Mesme dhe zgjedhjet në SHBA, nxisin qëllimet e Serbisë”, u shpreh ai.

Në fund, Softa kritikoi politikat dhe qasjen e ndërkombëtarëve ndaj Serbisë, me theks të veçantë përmendi Turqinë.

“Politikat e vakta të diplomacisë europiane, kanë lënë një boshllëk që po lejon terren për politikat e Turqisë. Krahas furnizimit me dronë të Shqipërisë, politika e saj duke afruar rritjen e kapacitetit ushtarak me armatim të Serbisë dhe kapaciteteve ekonomike në investime, krijon një klimë që favorizon konfliktet dhe sulmet e mundshme”, përmbylli Fatjon Softa.