Pakënaqësi, dyshime për manipulime e përplasje brenda partisë – çfarë po ndodh me rezultatet e votave?

Procesi i numërimit të të gjitha votave përfundoi më 5 mars, rreth një muaj pas mbajtjes së zgjedhjeve parlamentare në vend më 9 shkurt.

Sipas rezultateve përfundimtare, që përfshijnë edhe votat në vendvotimet në Kosovë, ato në përfaqësitë diplomatike, me kusht dhe atyre të personave me nevoja të veçanta, asnjëra parti nuk ka siguruar numër të mjaftueshëm për të qeverisur e vetme.

Megjithatë, pas përfundimit të procesit të numërimit të votave filluan pakënaqësi të shumta nga ana e partive politike, kryesisht LVV dhe LDK.

Së pari, LVV pretendoi në ankesën e saj ditë më parë se ka pasur “manipulim” të procesit të votimit përmes postës.

Në aneksën e saj, Vetëvendosje kishte pretenduar se “ky organizim i tillë i votimit, unik dhe mirë i organizuar në formë manipuluese, nuk ka mundur të ndodhte pa një organizim, koordinim dhe bashkëveprim me deputetët e LDK-së”.

Kurse, Lidhja Demokratike e Kosovës kishte paknaqësi të brendshme, kur deputetë të saj u ankuan për manipulim të votave të kandidatëve të rezultateve.

Arben Gashi, Hykemete Bajrami e Rrezarta Krasniqi ishin disa nga deputetët që kërkuan ripërsëritje.

Gjithë këto dyshime për manipulime jo vetëm ndërmjet partive, por edhe brenda vetë partive politike, po vënë në pikëpyetje procesin zgjedhor.

Kjo po nxit paqartësi të shumta.

Jashari: Është në interes nacional që zgjedhjet të certifikohen sa më shpejtë

E në lidhje me hetimet dhe këto akuza për manipulime ka folur avokati Arbër Jashari.

Image

Arbër Jashari

Ai në një prononcim tha se është shumë e rëndësishme që të certifikohen sa më shpejt.

Po ashtu, u shpreh se Prokuroria duhet të vazhdojë me hetimet e saj.

“Unë i shoh si dy procese të ndara. Është në interes nacional që zgjedhjet të certifikohen sa më shpejtë, natyrisht pasi që të jenë shterrur mundesitë për të ushtruar ankesë në PZAP, nga ana e subjekteve ose individëve të pakënaqur, në ndërkohë Prokuroria mund ta vazhdojë punën në hetimin e gjitha rasteve, ku mund të ketë dyshime për konsumimin e ndonjë vepre penale, edhe pas certifikimit të rezultatit zgjedhor”, deklaroi Arbër Jashari.

Halilaj: Shumë shqetësuese se si KQZ, tani e një muaj nuk arriti të bëjë numërimin dhe të dal me rezultat përfundimta

Kurse, avokati tjetër, Gazmend Halilaj tha se parregullësi në proceset zgjedhore ka pasur ndër vite.

Image

Gazmend Halilaj

Mirëpo, tha se praktikat për manipulime duhet ndalur dhe të hetohen nga gjykata, të vërtetohet kush përfitojë e kush u dëmtua.

“Parregullsitë dhe dyshimet e bazuara për keqpërdorim përkitazi me numërimin e votave, Kosovën e kanë shoqëruar ndër vite, papërjashtuar edhe zgjedhjet e fundit.

Kjo praktikë me elemente të fushës penale, duhet hetuar, gjykuar dhe goditur me një grusht të fortë në aspektin ligjor.

Sepse, jo vetëm që godet vullnetin qytetar përkitazi të drejtën për të zgjedhur dhe për t’u zgjedhur, por cenon rëndë edhe besueshmërinë e procesit zgjedhor, ngase nuk dihet realisht se, kush përfitoj dhe kush u dëmtua, qoftë edhe nëse kemi të bëjmë me vetëm një votë të dyshimtë”.

Gjithashtu, avokati e cilësoi shqetësuese faktin se si KQZ ende nuk e ka certifikuar rezultatin.

Ku në këtë pikë, duhet të trajtohet çdo pretendimi të manipulimit të mundshëm.

“Edhe pse shumë shqetësuese se si KQZ, tani e një muaj nuk arriti të bëjë numërimin dhe të dal me rezultat përfundimtar, por pavarësisht kësaj, une mendoj që nëse KQZ, i duhet ende kohe, nuk ka diçka të keqe përveç një shqetësimi që u cek me lart, sepse shumë më e rëndësishme është që, rezultati përfundimtar të jetë sa më real duke hequr çdo dilemë lidhur me këtë çështje.

Ndërsa, sa i përket hetimit, kjo duhet të ndodhë pashmangshëm për trajtimin e çdo pretendimi të manipulimit të mundshëm nga kushdo qoftë”, përmbyllli Gazmend Halilaj