Kosova tronditet nga katër vrasje të rënda brenda tre ditëve, kërkohen masa të menjëhershme për kontrollin e armëve

Kosova gjatë ditëve të fundit u përball me tre raste tragjike, dy prej të cilave ndodhën në qytetin e Vushtrrisë, ndërsa një tjetër në Prishtinë.

Të dielën në mbrëmje, u vra një 19-vjeçar nga moshatari i tij. Bëhet fjalë për vrasjen e Ardit Zymerit nga B.D.

Ndërkaq, ende pa kaluar 24 orë nga ky rast tragjik, ndodhi edhe një vrasje tjetër. Nexhmije Haradini u vra nga ish-pronari i furrës ku ajo kishte punuar për rreth 5 vjet. Pas këtij akti, Arsim Morina bëri vetëvrasje.

Këtë e ka konfirmuar zëdhënësi i Prokurorisë Themelore në Mitrovicë, Valon Preteni.

Ndërkaq, të martën një tjetër person ka humbur jetën pas të shtënave me armë zjarri në kryeqytet.

Ngjarja e rëndë ndodhi rreth orës 22:30 në rrugën “Rrustem Hyseni” në Prishtinë.

Kosova sërish është tronditur nga një akt dhune. Pas vrasjeve të fundit në Vushtrri, mbrëmë një tjetër person ka humbur jetën pas të shtënave me armë zjarri në kryeqytet. Ngjarja e rëndë ndodhi rreth orës 22:30 në rrugën “Rrustem Hyseni” në Prishtinë.

Viktima, 62-vjeçari Naser Gashi, mbeti i vrarë pas plagëve të marra, ndërsa i plagosuri tjetër, Miftar Miftari, është dërguar në spital dhe është jashtë rrezikut për jetë.

Dyshohet se Gashi ka qenë i shoqëruar nga një person tjetër, të cilin policia gjithashtu po e kërkon.

Këto raste kanë ngritur shqetësime te qytetarët sa i përket sigurisë së tyre. Lidhur me këtë çështje, njohësit e çështjeve të sigurisë kanë kërkuar që të bëhen kontrolle më të rrepta mbi armët.

Ish-Nënkoloneli Refki Morina propozon kontrolle më të rrepta dhe dënime të ashpra për armët ilegale

Image

Refki Morina

Ish-Nënkoloneli Policor, Refki Morina, në një prononcim ka treguar mënyrën se si mund të parandalohen ngjarjet kriminale

Ndalimi dhe konfiskimi i armëve ilegale është një nga masat më të rëndësishme për të parandaluar vrasjet dhe ngjarjet kriminale.

Luftimi i armëve ilegale duhet të bëhet paralelisht me përmirësimin e kushteve socio-ekonomike dhe rritjen e besimit te institucionet e sigurisë.

Vetëm një qasje e tillë gjithëpërfshirëse mund të ndihmojë në parandalimin e ngjarjeve tragjike”, ka thënë ai.

Sipas tij, numri i vrasjeve ka shënuar rritje të konsiderueshme, duke shtuar se duhet të bëhen kontrolle më të rrepta mbi armët.

Numri i vrasjeve në Kosovë ka shënuar një rritje të konsiderueshme kohët e fundit, duke ngritur shqetësime.

Për të parandaluar këto raste, duhet ndërmarrë masa të forta si:

Kontrolle më të rrepta mbi armët;

Investimet në edukim;          

Promovimi i kulturës së dialogut; dhe

Fuqizimi i institucioneve të drejtësisë për të dhënë dënime të ashpra për këto vepra penale”, ka potencuar ai.

Gjithashtu, Morina ka kërkuar që të bëhen ndëshkime të ashpra për posedimin e armëve ilegale, si dhe zhvillim i fushatave për vetë dorëzimin e armëve.

Masat që mund të merren për një kontroll më efektiv të armëve ilegale mund të jenë:

Pikat e kontrollit të rregullta nga Policia për hyrje dhe dalje të qytetarëve, veçanërisht në zonat problematike;

Kontrolle të befasishme në lagje me kriminalitet të lartë, duke përdorur të dhënat inteligjente policore;

Ndëshkime të ashpra për posedimin e armëve ilegale;

Bashkëpunimi i shtuar me qytetarët, duke inkurajuar denoncimet dhe ofruar mbrojtje për ata që raportojnë armët ilegale;

Zhvillimi i fushatave për vetëdorëzimin e armëve, duke e bërë më lehtë për njerëzit të dorëzojnë armët pa pasoja ligjore.

Nëse masat e lartpërmendura do të zbatohen në mënyrë të rreptë dhe sistematike, siguria publike do të përmirësohet ndjeshëm dhe rastet e dhunës me armë do të reduktoheshin”, ka deklaruar Morina.

Arben Dashevci: Vrasjet, pasojë e mungesës së programeve të kriminalistikës dhe koordinimit mes institucioneve

Image

Arben Dashevci

Foto galeri

Ndërsa në anën tjetër, njohësi i sigurisë, Arben Dashevci, i ka konsideruar si shqetësuese rastet e vrasjeve që po ndodhin në vend.

“Vrasjet që po ndodhin në Republikën e Kosovës janë shqetësuese, ndodhin për shkaqe dhe motive të ndryshme, por janë edhe pasojë e mos aplikimit të programeve nga shkenca kriminalistike në parandalimin e vrasjeve nga Këshilli për Siguri Lokale në çdo qytet të Kosovës”, ka thënë ai.

Dashevci ka një sugjerim se çfarë duhet të bëhet në kësi raste, ku ka treguar arsyet se pse ka rritje të vrasjeve.

“Mos aplikimi i programeve të tilla po e dëmton imazhin tonë si shtet (po krijon pasiguri), prandaj duhet një plan i përbashkët operativ mirë i organizuar nga njerëzit kompetentë që kanë njohuri nga shkenca kriminalistike, gjë që mungon, mendoj unë, anekënd Kosovës.

Mos aplikimi i programeve nga shkenca kriminalistike dhe moskoordnimi i duhur mes institucioneve përgjegjëse ka sjellë rritjen e numrit të vrasjeve në vendin tonë.

Të gjithë jemi përgjegjës për këto dukuri negative, duke filluar nga familja, shkollat fillore dhe të mesme, edukatorët dhe psikologët, pra të gjitha institucionet.

Prandaj, duhet, mendoj unë, një koordinim më i fuqishëm (praktik) mes të gjitha institucioneve, në mënyrë që të kemi efikasitet në parandalimin e vrasjeve në vendin tonë. Duhet të ketë veprime urgjente nga institucionet relevante që këto vrasje të parandalohen”, ka thënë ai.

Më tutje, Dashevci ka shtuar se në vend gjenden shumë armë ilegale në duar të qytetarëve.

“Këto raste janë alarmante dhe shkaktojnë shqetësime, sepse në Republikën e Kosovës shumë armë ilegale gjenden në duar të qytetarëve. Kjo nuk duhet të ishte kështu; ne jemi shtet dhe kemi institucione të konsoliduara. Armët ilegale nuk kanë çfarë kërkojnë në duar të qytetarëve.

Bashkëpunimi Polici në komunitet-qytetarë nuk ka alternativë.

Prindërit duhet të kujdesen për fëmijët e tyre, sepse familja është institucion.

Shkollat duhet t’i evidentojnë nxënësit problematikë, t’i raportojnë te prindërit dhe organet përgjegjëse gjithmonë si preventivë për parandalim.

Pasigurinë mund ta zëvendësojë siguria dhe ne të gjithë duhet të kujdesemi që siguria të mbizotërojë kundrejt pasigurisë,” ka përfunduar Dashevci.

Kryeministri Albin Kurti u ka bërë thirrje institucioneve të sigurisë dhe drejtësisë që të trajtojnë me seriozitet të lartë tri rastet tragjike të tri ditëve të fundit, në një deklaratë në mbledhje të qeverisë të mërkurën.

Shefi i qeverisë tha se është e domosdoshme të vendoset drejtësi për katër viktimat e këtyre tri rasteve.

Vrasja është jo vetëm vrasje e njeriut, por edhe e shoqërisë e të cilës ai bënte pjesë, pra e shoqërisë tonë. Gjithë vendi është tronditur dhe lënduar nga kjo seri e ngjarjeve që duhet të ndalohet, të ndalet, të dënohet”, u shpreh Kurti.“Na duhet natyrisht analizë e kujdesshme profesionale, veprim i menjëhershëm institucional dhe reflektim shoqëror që adreson dhunën që kemi parë në këto ditët e fundit. Kjo është thirrje për të gjithë ne, për secilin prej nesh”, ka thënë kryeministri në mbledhjen e Qeverisë.