Kosova hap dy skema të reja grantesh për bizneset, mbi 1.5 milion euro në dispozicion

Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, në bashkëpunim me Ministrinë e Ekonomisë dhe me mbështetjen e Luksemburgut, ka lansuar dy skema të reja grantesh, të destinuara për të nxitur inovacionin teknologjik, tranzicionin energjetik dhe rritjen e konkurrueshmërisë së ndërmarrjeve mikro, të vogla, të mesme dhe bizneseve startup në Kosovë.

Ministrja në detyrë e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Mimoza Kusari-Lila, tha se skema e granteve për inovacion synon të mbështesë zhvillimin e produkteve, shërbimeve dhe proceseve inovative, duke kontribuar në zhvillimin ekonomik të vendit.

Kusari-Lila: Grante për energjinë dhe teknologjinë

“Skemën e granteve për inovacion në fushën e teknologjisë. Po ashtu do të bëhet edhe shpallja e skemës së granteve për energji të pastër, që është pjesë e projektit të tranzicionit energjetik dhe menaxhimit të ndryshimeve klimatike për Kosovën… Qëllimi i kësaj skeme është të mbështesë ndërmarrjet mikro, të vogla e të mesme, si dhe bizneset startup për zhvillimin e produkteve, shërbimeve ose proceseve inovative. Objektivi kryesor është të nxisë idetë inovative që kontribuojnë në zhvillimin ekonomik të vendit, krijimin e vendeve të reja të punës, rritjen e eksporteve dhe forcimin e kapaciteteve në sektorin e tij. Në këtë thirrje mund të aplikojnë ndërmarrjet mikro, të vogla dhe të mesme të regjistruara deri më 31 dhjetor 2020. Bizneset startup të regjistruara nga 1 janari 2021 deri më 31 dhjetor 2025. Buxheti total është 1 milion e 160 mijë euro, nga të cilat 760 mijë euro janë të dedikuara për ndërmarrjet mikro, ndërsa 400 mijë euro për bizneset startup”, tha ajo.

Rizvanolli: Ndërmarrjet do të kenë mundësi të përfitojnë grante deri në 25 mijë euro

“Sot po e lansojmë fazën e dytë me një buxhet prej 380 mijë euro për të mbështetur investime të reja. Përmes kësaj skeme ndërmarrjet do të kenë mundësi të përfitojnë grante deri në 25 mijë euro në total. Masa një: sisteme solare fotovoltaike dhe bateri; këto sisteme ose sisteme solare termike mbështeten në masën 40 për qind të vlerës së investimit. Masa e dytë ka të bëjë me efiçiencën në ndërtesa, ku përfshihet izolimi i mureve, çative, dyer dhe dritare të reja efiçiente, ku kjo masë mbështetet në masën prej 30 për qind. Masa e tretë mbështet bizneset për të blerë pajisje që e bëjnë linjën e tyre të prodhimit më efiçiente; këto mbështeten me grant prej 70 për qind. Një përparësi në këtë skemë do ta kenë bizneset që tashmë janë në treg të hapur të energjisë, të cilat nuk përfitojnë nga tarifat e rregulluara, por nuk do të thotë që prodhuesit e tjerë nuk mund të aplikojnë. Bizneset duhet të jenë të regjistruara nga 1 janari 2024”, tha Rizvanolli.

I ngarkuari me punë i Dukatit të Madh të Luksemburgut në Kosovë, Eric Dietz, tha se të dyja skemat janë pjesë e përpjekjeve për të mbështetur transformimin teknologjik dhe energjetik të sektorit privat.

Dietz: Iniciativat ndërlidhen me inovacionin digjital dhe energjinë e qëndrueshme

Bizneset që plotësojnë kriteret mund të aplikojnë për të dyja skemat përmes platformës e-Kosova.