Shpërthimi në Zveçan po hetohet nga njësiti anti-terror
Sot rreth orës 00:20 persona të panjohur kanë hedhur dy granata dore në objektin e Postes se Kosovës në Zveçan.
Sipas një njoftimi të Policisë së Kosovës bëhet e ditur se si pasojë e shpërthimit të njërës granat janë shkaktuar dëme materiale, mirëpo nuk është raportuar për të lënduar.
“Njësitet policore relevante pasi kane dalë në vend të ngjarjes dhe kanë vërejtur se brenda objektit gjendet edhe një granatë e pa shpërthyer, ku në lidhje me këtë njësitë policore paraprakisht kanë bërë sigurimin e vendit të ngjarjes, ndërsa banorët janë evakuuar për një kohë, deri sa nga njësia e specializuar për trajtimin e mjeteve eksplozive kanë bërë shpërthimin e granatës në mënyrë të kontrolluar”, thuhet në njoftim.
Tutje thuhet se njësia anti-terror janë duke punuar intensivisht për të zbuluar autorët e këtij shpërthimi. Në lidhje me rastin është njoftuar prokurori i Shtetit, i cili ka udhëzuar që rasti të iniciohet si “Shkaktim i rrezikut të përgjithshëm”.
“Policia e Kosovës i dënon ashpër këto veprime të rrezikshme dhe apelon tek qytetarët që të bashkëpunojnë me autoritetet për të ndihmuar në identifikimin e autorëve të këtij shpërthimi.
Çdo informacion që mund të ndihmojë hetimet mund të raportohet në numrat e Policisë apo përmes linjave të besueshme të raportimit”, thuhet në njoftim.
Sulmohet me granatë dore Posta e Kosovës në Zveçan
Policia e Kosovës ka konfirmuar se një granatë dore ka shpërthyer brenda objektit të Postës së Kosovës në Zveçan pak pas mesnatës të martën, teksa thotë se një tjetër “e kemi shpërthyer ne në mënyrë të kontrolluar”.
Zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës për veriun, Veton Elshani, tha se nuk ka persona të lënduar, por se ka dëme materiale.
Në një postim në Facebook, Policia e Kosovës tha se një ose disa persona të panjohur kanë hedhur granata dore dhe se njësia anti-terror është duke “punuar intensivisht për të zbuluar autorët e këtij shpërthimi”.
Për rastin është njoftuar Prokuroria e Shtetit, që është udhëzuar ta inicojë rastin si “shkaktim i rrezikut të përgjithshëm”.
Dega e Postës së Kosovës në Zveçan u hap më 27 mars, në të njëjtën ditë kur u hap edhe në Zubin Potok – të dyja komuna në veriun e Kosovës të banuar me shumicë serbe.
Më parë në këtë objekt ndodhej dega e Postës së Serbisë, që u mbyll në maj të vitit të kaluar.
Në fund të vitit të kaluar ishin raportuar disa sulme të ngjashme me granata dore. Më 27 nëntor, autoritetet njoftuan se stacioni policor në Zveçan ishte sulmuar me dy granata dore. Përveç dëmeve materiale, nuk u raportua për të lënduar.
Ndërkaq, më 29 nëntor Policia bëri të ditur se është sulmuar me një mjet shpërthyes, që dyshohet të jetë granatë dore, edhe ndërtesa e Komunës së Zveçanit.
Rastet e hedhjeve të mjeteve shpërthyese dhe djegie të veturave u rritën veçmas gjatë periudhës kur po zbatohej vendimi i Qeverisë së Kosovës për konvertimin e targave serbe në ato RKS – Republika e Kosovës.
Prej atëherë, tensionet në veri vazhdojnë të jenë kryesisht të larta, gjithashtu për shkak të atyre që Qeveria e Kosovës i konsideron si hapa për shtirje të sovranitetit në këtë pjesë.
Në katër komunat me shumicë serbe në veri të Kosovës janë mbyllur shumë institucione paralele serbe, si dhe zyra postare e tatimore që nga fillimi i vitit të kaluar.
Qysh në fillim të këtij viti, më 15 janar, u mbyllën institucione serbe edhe në dhjetë komuna pjesën jugore të Kosovës, pasi autoritetet në Prishtinë thanë se ato ishin institucione ilegale.
Megjithatë, mbyllja e këtyre komunave paralele të Serbisë, si dhe zyrave postare e tatimore në dhjetë komuna në jug të Ibrit, u përshkrua me kundërthënie.
SHIKONI EDHE:
Serbët pas mbylljes së institucioneve: “Nuk bëhet fjalë vetëm për pagat”
Kjo, pasi Prokuroria Themelore në Prishtinë deklaroi po më 15 janar se nuk kishte autorizuar Policinë e Kosovës për kryerjen e këtij operacioni, pasi nuk kishte ndonjë kërkesë zytare.
Që nga fillimi i vitit të kaluar, përveç organeve të përkohshme komunale dhe ndërmarrjeve të tyre publike, janë mbyllur edhe Posta e Serbisë në veri, Banka Postare Kursimorë, Thesari i Bankës Kombëtare, Drejtoria e Fondit për Sigurimin Pensional dhe Invalidor, Rrethi Administrativ i Mitrovicës së Kosovës dhe të tjera.
Kryesisht kanë vazhduar të funksionojnë vetëm institucionet arsimore dhe shëndetësore, të cilat në zonat serbe gjithashtu punojnë në sistemin serb.
Serbët në veriun e Kosovës gëzojnë mbështetjen e Beogradit, i cili ka financuar strukturat paralele atje, por edhe ka mbështetur qytetarët serbë përmes pensioneve apo edhe shtesave të tjera.
Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian kanë kundërshtuar shumë nga veprimet e Prishtinës në veriun e Kosovës, sikurse edhe Bashkimi Evropian, duke i vlerësuar si veprime të paakordinuara.
Blloku evropian u ka bërë thirrje Kosovës dhe Serbisë që të normalizojnë raportet në kuadër të dialogut të Brukselit, duke thënë se normalizimi është kusht për avancimin e shteteve drejt integrimeve evropiane.
Të tjera
Kr*imet e ekstremistëve të krahut të djathtë në Austri rriten me mbi 40 për qind në 2025
Petar Petkoviqi refuzon të diskutojë në Bruksel për Luginën, reagon Shaip Kamberi
Këshilli i Sigurimit i OKB-së dënon su*lmin iz*raelit ndaj Katarit