“Lista serbe është gangrena e institucioneve të Kosovës, por përkrahet edhe nga partitë shqiptare”

Të dielën është mbajtur mbledhja e Këshillit të Sigurisë Kombëtare ku u konstatua se përveç ndërhyrjeve të Serbisë në fushatën zgjedhore dhe në zgjedhjet parlamentare në Kosovë të 9 shkurtit 2025, përmes Listës Serbe dhe kryeterroristit Millan Radoiçiq si kryetar “de facto” i saj, Serbia tash po ndërhyn te disa prej deputetëve të komuniteteve joshumicë e joserbë, që ta sabotojë themelimin e institucioneve të reja të legjislaturës së nëntë.

Zëvendësministri në detyrë i Drejtësisë, Blerim Sallahu, tha se shqyrtimi i aktakuzës dhe gjykimi i terroristëve serb në rastin e Banjskes duhet të marrë sa më shpejt epilog duke përfshirë edhe shpalljen e Listës Serbe si organizatë terroriste.

“Shqyrtimi i aktakuzës dhe gjykimi i terrorsitëve serb në rastin e Banjskes duhet të marrë sa më shpejt epilog duke përfshirë edhe shpalljen e Listës Serbe si organizatë terroriste. Secili aktgjykim tjetër i gjykatës kompetente është cenim brutal i sigurisë shtetërore të Republikës së Kosovës”, ka shkruar ai të dielën në Facebook.

Po ashtu, edhe Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu ka reaguar të dielën, duke thënë se opozita ka bashkëpunuar me Listen Serbe, madje ka ndihmuar dhe përkrahur certifikimin e saj.

Dhe, kjo opozitë sërish pati mundësinë që sadopak të përmirësonte gabimin. Kishin mundësinë dhe ishte jetike të mos certifikohej për zgjedhje Lista Serbe për aq kohë sa nënkryetarin e kishte organizator dhe prijës së sulmit në Banjskë dhe nuk ishte distancur kurrë nga ajo ngjarje. Por, e ngritën dorën dhe e certifikuan. Kështu nga gabimi në gabim, pa e kuptuar rëndësinë jetike të veprimit të drejtë, kombëtar e historic”, ka shkruar ajo në facebook.

Pra, derisa Lista serbe po konsiderohet si një “bombë e kurdisur” brenda institucioneve të Kosovës, si e tillë, a do të duhej që urgjentisht ky subjekt të shpallej terrorist dhe antikushtetues? Si dhe a mund të bëhet kjo në situatën kur ky subjekt i është nënshtruar zgjedhjeve dhe ka fituar një përqindje të konsiderueshme të votave?

Zogaj: Lista serbe do që të sabotoj me çdo kusht e në çdo formë lirinë dhe pavarësinë e tokës autoktone shqiptare

Lidhur me këtë ҫështje ka folur analisti politik, Skender Zogaj. Ai vlerëson se Lista serbe është ‘pasaporta e pafytyrësisë gjenetike të Serbisë’, e cila është e shëmtuara sui generis e gadishullit ballkanik dhe armikja e përbetuar gjenetike antishqiptare.

Image

Skender Zogaj

“Shqiptarët në përgjithësi e veçmas shqiptarët e Kosovës duhet ta ngulisin në mendje njëherë e përgjithmonë se Serbia kurrë nuk do të pushojë së vepruari kundër shqiptarëve, pos tjerash edhe i ka zënë mallkimi i keqbërjeve kriminale kundër të tjerëve dhe tash, e bëjnë jetën e Zombit, duke kërkuar kërmën! Pikërisht Lista serbe është sajesa e montuar që në Kosovë e ka dëshmuar se e ka rolin e “bombës së kurdisur”! Këtë rol edhe e ka realizuar me mjaft sukses, duke i mbajtur qe një çerek shekulli peng proceset shtetndërtuese dhe angazhimet për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës! Lista serbe është gangrena e institucioneve të Kosovës sepse i ka keqpërdorur të drejtat që serbët e Kosovës i kanë shumë më të denja se serbët në Serbi! Prandaj dihet se Lista serbe do që të sabotoj me çdo kusht e në çdo formë lirinë dhe pavarësinë e tokës autoktone shqiptare! Këtë e ka shprehur hapur dhe, do të vazhdojë ta shpreh edhe në të ardhmen nëse i mundësohet”, thekson Zogaj.

Analisti pyet se a do të mund të vazhdojë këtë avaz Lista serbe?

“Mirëpo, unë me njohuritë e mia, jam i bindur se, nëse faktori politik shqiptar në Kosovë ka vullnet të mirë, mundet shumë lehtë t’ia prish sahatin e kurdisur dhe bombën t’ia çmontojë dhe t’ia bëjë lodër macesh! Si mund të bëhet kjo? Kosova fare nuk ka nevojë që ta shpall këtë subjekt terrorist dhe antikushtetues, sepse, fshat që shihet kallauz nuk do! Por, Lista serbe duhet të lihet si lëkurë lepuri e mbushur me kashtë dhe e varur në strehën e shtëpisë për t’i argëtuar sorrat! Kështu duhet të lihet jashtë çdo loje, derisa Lista serbe ta kuptojë se Beogradi është një vend tjetër fqinj, dhe asgjë më tepër! Lista serbe duhet të llogarisë interesat e elektoratit të saj dhe, vetëm nëse do, e ka derën të hapur për të marrë vetëm atë që i takon komunitetit serb në Kosovë! Atë që i takon dhe hiq më tepër, dhe asnjëherë përmes qëndrime destruktive”, thotë ai.

Zogaj thotë po ashtu se Lista serbe dhe padronet e saj në Beograd duhet ta dinë se Kosova është shtet demokratik i vlerave më të larta të civilizimit dhe ka mëshirë për popujt e mbetur në mentalitetin e Mesjetës, por nuk ka kohë që të merret deri në pakufi me qëndrime e mentalitete barbare.

 

Bexheti: Votuesit e Listës Serbe janë homogjen dhe të bashkuar rreth ideve të prapambetura të cilat i aludojnë kohës mesjetare

Po ashtu, për këtë çështje ka folur edhe analisti politik Nexhat Bexheti. Ai thotë se Lista Serbe është më shumë se bombë e kurdisur dhe gjenezën e ka të hershme.

Image

Nexhat Bexheti

“Lista Serbe është formacion pseudo politik me konotacion të përbotshëm gjeopolitik është vetëm ekspresion infektiv, në eterin demokratik të Republikës së Kosovës. Ajo vepron me urdhrat e Beogradit dhe kushtimisht pretendon ta de legjitimojë veprimin politik të Qeverisë së Kosovës”, thotë ai.

Sa i përket asaj se a mundet të shpallet organizatë terroriste, Bexheti thotë se nuk mundet të shpallet organizatë e tillë, sepse ajo është e regjistruar si parti politike dhe ka marrë pjesë nëpër të gjitha ciklet zgjedhore, si dhe ka strukturë dhe shtrirje territoriale po ashtu edhe anëtarësi.

“Në Evropë nuk mundet një shtet të shpallë organizata terroriste sepse bie  ndesh me politikën e UE-së, duhet atribute dhe prova të pranuara nga UE-ja. Ndërsa si antikushtetuese ekzistojnë elemente, por nuk janë të mjaftueshme për t’u shpallur si antikushtetuese, ajo akoma nuk i ka shkelur vijat e kuqe për një kualifikim të tillë. Lista Serbe përkrahet dhe ka miq brenda taboreve të partive shqiptare të cilët nuk do votojnë në Parlament për ndonjë amendament të propozuar nga Qeveria e Kosovës. Sepse Parlamenti duhet ta miratojë me votime 2/3”, vlerëson ai.

Ai thotë se votuesit e Listës Serbe janë homogjen dhe të bashkuar rreth ideve të prapambetura të cilat i aludojnë kohës mesjetare ngase fanatizmi akoma u është ideologji politike.

“Por nuk duhet të demoralizohet se ndërtimi i politikës shtetërore të Kosovës, nga politika destruktive dhe antishtetrore e Listës Serbe. Lista Serbe gradualisht do t’a humbe mbështetjen nga Beogradi, sepse edhe atje do bjerë sistemi politik i Vuçiqit, do të nis t’u bie morali si rregulator e atribut në networkut e politikës qëllimkeqe për Kosovën. Ndoshta do ishte pozitive që Kurti t’i përfshijë në Qeverinë e re, për t’i kontrolluar, sepse një pjesë e deputetëve do ta pranojnë politikën shtetërore të Kosovës duke u bë pjesëmarrës, dhe ka shanse që të dobësohet Lista Serbe, siç e potencova më lartë se politika e Beogradit do të bie. Ky parim ka dhënë rezultate të mira në disa shtete ku një etnitet nuk e ka pranuar shtetin ku jeton”, vlerëson analisti politik, Nexhat Bexheti.