Kushtrim Gara nga Komisioni Qeveritar për Persona të Zhdukur ka theksuar se qasja në arkivat e Brigadës së 37-të të Motorizuar të ish-Ushtrisë Jugosllave mbetet një nga kërkesat më të rëndësishme për zbardhjen e fatit të personave të zhdukur gjatë luftës në Kosovë.
Në një intervistë për Info Magazine në Klan Kosova, Gara tha se sfida kryesore vazhdon të jetë mungesa e informacionit të besueshëm dhe mos-hapja e dokumenteve të klasifikuara nga pala serbe.
Sfida më e madhe mbetet mungesa e informatave të besueshme dhe një nga rastet e adresuara me shumë prioritet pashmangshëm mbetet qasja ose kërkesa për qasje të plotë në arkivin e brigadës së motorizuar 37 të ish-Ushtrisë Jugosllave”, deklaroi ai.
Ai theksoi se kjo brigadë ka pasur rol të drejtpërdrejtë në ngjarjet e luftës në Kosovë, veçanërisht në rajonin e Drenicës, duke u ndërlidhur me një sërë masakrash dhe viktimash civile.
Sipas tij, strukturat e ushtrisë jugosllave në vitin 1999 ishin të organizuara në disa armatë dhe korpuse, ndërsa Brigada e 37-të e Motorizuar bënte pjesë në Korpusin e Prishtinës dhe kishte një rol operacional në terren gjatë luftës.
Gjatë kohës së luftës, pra gjatë vitit 1999, ish-Ushtria Jugosllave kishte forcat tokësore të ndara në tri armata… në kuadër të Armatës së Tretë ishte Korpusi i Prishtinës dhe Korpusi i Nishit. Brigada e 37-të e Motorizuar ishte pjesë e Korpusit të Prishtinës dhe gjatë luftës u vendos në regjionin e Drenicës”, tha Gara.
Ai shtoi se sipas dokumenteve dhe dosjeve gjyqësore ndërkombëtare, kjo brigadë lidhet me një numër të madh krimesh lufte, përfshirë masakrat në Rezallë, Qikatovë të Vjetër dhe Zabel të Ulët.Në shumë dokumente zyrtare, përfshirë dosjet gjyqësore nga Tribunali i Hagës dhe dokumentet e Fondit për të Drejtën Humanitare, kjo brigadë përmendet në lidhje me qindra raste të viktimave civile, të vrarë, të rrëmbyer dhe të zhdukur”, u shpreh ai.
Gara përmendi gjithashtu se në vitin 2014, Serbia ka riklasifikuar arkivat e kësaj brigade si sekret shtetëror për dekada të tëra, duke e bërë edhe më të vështirë hetimin e rasteve.
Më 31 korrik 2014, Ministria e Mbrojtjes e Serbisë ka riklasifikuar arkivin e kësaj brigade si sekret shtetëror për 30 vite. Kjo praktikisht e pamundëson qasjen në dokumente kyçe që lidhen me krimet e luftës”, tha Gara.
Ai shtoi se në terren, gjatë luftës, janë kryer vrasje masive dhe zhdukje me forcë në disa fshatra të Drenicës, ndërsa shumë nga viktimat më vonë janë gjetur në varreza masive në territorin e Serbisë.
“Nga vendosja e brigadës në Drenicë e deri në fund të luftës kemi me qindra raste të viktimave civile, përfshirë masakra, rrëmbime dhe zhdukje, ndërsa kufomat e shumë prej tyre janë gjetur në varrezat masive në Rashkë”, theksoi ai.
Sipas Garës, një pjesë e rëndësishme e procesit është edhe rasti i varrit masiv në Rudnicë të Rashkës dhe lokacionet në Kizhevak, ku janë gjetur mbetje mortore të viktimave nga disa masakra në Kosovë.
Në Rudnicë të Rashkës janë gjetur dhjetëra trupa të viktimave të luftës, ndërsa kërkimet në Kizhevak kanë zbuluar mbetje mortore të rasteve të tjera të zhdukjeve me forcë”, tha ai.
Gara potencoi se bashkëpunimi dhe qasja në arkivat ushtarake të Serbisë mbetet kusht kyç për zbardhjen e fatit të rreth 1,600 personave të zhdukur nga lufta në Kosovë.



Të tjera
Real Madridi përgatit largimin e shtatë lojtarëve
UP të hënën hap konkursin për pranimin e studentëve të rinj
Islami: Aleksandër Vuçiq, ky imitues i Sllobodan Millosheviqit