I kobshëm ishte mëngjesi i 27 prillit i vitit 1999, për fshatin Meje të Komunës së Gjakovës, vendbanim ky i cili përjetoi masakrën më të madhe të luftës së fundit në Kosovë, ku pas sulmit të forcave policore e ushtarake të Serbisë, në mëngjesin e 27 prillit, mbetën të vrarë 376 meshkuj shqiptarë të asaj ane, të cilët sipas familjarëve të këtyre viktimave, u vranë vetëm për faktin që ishin shqiptarë.
Petrit Hasanaj, i cili në këtë masakër humbi gjyshin, babain dhe vëllain e tij 16 vjeçar, në një rrëfim për Telegrafin tha që fshati Meje është një sinonim i shqiptarisë.
“Datën 27 prill, sigurisht që nuk do ta harrojmë kurrë, sepse ajo ishte në ditë e kobshme për familjen tonë, duke qenë një nga ditët më të vështira që ne i kemi përjetuar si familje. Ishte një lloj shtet rrethimi ku forcat e ushtrisë e policisë serbe në atë kohë e rrethuan shtëpinë tonë dhe aty i ndanë në mënyrë të dhunshme meshkujt në njërën anë dhe gjininë femërore dhe fëmijët në anën tjetër, ku këtu u ndaluan gjyshi, baba, dhe vëllai im i cili ende nuk i kishte mbushur 17 vjeç”, shtoi tutje Hasanaj, shkruan Telegrafi.
Pavarësisht që kanë kaluar 26 vite që nga dita ku në rrjedhën e historisë Masakra e Mejes shënohet si sinonim i dhimbjes e i ndërgjegjes së vrarë, këto varreza e ky kompleks memorial në këtë fshat ende presin rikthim e trupave të atyre që janë pasqyrimi më i dhimbshëm i historisë së Kosovës.




Të tjera
Ekipi i Trumpit i “frustruar” me Netanyahun nga frika se po minon procesin e paqes
Ata para nesh e lodhën veturën ‘në të parën, ne jemi në të tretën’
Mesazhi prekës i Xhakës për tifozin e Sunderland