“Faleminderit, Legjendë”, Agon Xhaka ndan rrugët me Malishevën – Ekonomia Online

“Faleminderit, Legjendë”, Agon Xhaka ndan rrugët me Malishevën

Futbollisti kosovar, Agon Xhaka ka ndarë rrugët me FC Malishevën, pas pesë vitesh me skuadrën.

Ekipi, përmes një postimi në Facebook, është shprehur tejet falënderues për kontributin e Xhakës në skuadër, përgjatë këtyre viteve.

“Pesë vite nuk maten vetëm me ndeshje të luajtura, por me besnikëri, sakrificë dhe momente që mbeten në kujtesën e çdonjërit. Agoni ishte pranë klubit në sfidat më të mëdha dhe në arritjet më të bukura, duke dhënë gjithmonë maksimumin për këtë fanellë”.

“Që nga ardhja e tij në vitin 2021, Agoni ishte një prej shtyllave të skuadrës, duke dhënë kontribut të çmuar në një nga periudhat më të suksesshme të klubit. Ai ishte pjesë e ekipit që shkroi historinë e FC Malishevës, duke siguruar tri kualifikime radhazi në garat e UEFA Conference League. Përkushtimi, profesionalizmi dhe karakteri i tij kanë lënë gjurmë si brenda ashtu edhe jashtë fushës. Për gjithçka që ka dhënë për këtë fanellë, Agoni do të mbetet gjithmonë pjesë e historisë sonë. Faleminderit për çdo moment e çdo sakrificë; FC Malisheva do të mbetet gjithmonë shtëpia jote”, thuhet në njoftim.