Qalaj: Albulena Haxhiu te PDK nuk kalon

Deputeti i PDK-së, Rashit Qalaj ka thënë se propozimi i LVV-së për kryetare të Kuvendit, Albulena Haxhiu nuk kalon.

“Qëndrimi i PDK-së është i njëjtë, nuk ka ndryshuar nuk do të ndryshoj as sot as pas 48 orëve as pas një jave as pas një muaji, sa i përket Albulena Haxhiut te PDK nuk kalon”, ka thënë Qalaj.

Ai ka shtuar se nuk është në dorën e PDK-së që të kërkoi takim, kjo varet nga LVV.
“E ripërsëris kandidatja që është nuk kalon”, tha Qalaj.

Kuvendi i Kosovës do të mblidhet sërish sot për të vazhduar seancën konstituive në përpjekje për të përmbyllur zgjedhjen e kryetarit dhe nënkryetarëve.

Të dielën u votua për herë të pestë kundër propozimit të Lëvizjes Vetëvendosje për zgjedhjen e Albulena Haxhiut si kryetare e Kuvendit.

LVV-ja vazhdon të këmbëngulë në propozimin e saj, duke refuzuar të ndryshojë kandidatin, ndërkohë që partitë që në legjislaturën e kaluar kanë qenë në opozitë vazhdojnë të refuzojnë ta mbështesin atë.