Javier Zanetti, legjendë dhe aktualisht nënkryetari i Interit, ëndërron një kalim simbolik të stafetës: nga kapiteni i dikurshëm te kapiteni aktual, nga një argjentinas te një tjetër, nga duart e tij tek ato të Lautaro Martínez-it, me trofeun e Champions League në mes. Pas fitores së vështirë ndaj Barcelonës në gjysmëfinale, Zanetti foli për “Radio La Red”, duke komentuar finalen e 31 majit kundër Paris Saint-Germain në Mynih.
“Jam krenar për paraqitjen e Interit,” u shpreh Zanetti. “Ndaj Barcelonës, si në vajtje ashtu edhe në kthim, skuadra tregoi përkushtim dhe kaloi me sukses momente të vështira. U përballën dy ekipe me stile të qarta dhe mënyra të ndryshme loje. Finalja ndaj PSG-së? Është një ndeshje 50 me 50. Ata gjithashtu e merituan finalen. Është një përballje teke dhe duhet ta luajmë me vendosmëri, duke shpresuar të mbajmë nivelin që treguam në gjysmëfinale.”
Zanetti nuk kurseu lavdërimet për trajnerin Simone Inzaghi, arkitektin e këtij suksesi: “Ai është lideri absolut i kësaj skuadre. Është me ne prej katër vitesh dhe i ka bërë të gjithë shumë konkurrues. Me të kemi arritur dy finale të Champions League brenda tri vitesh.”
Por në qendër të lavdërimeve ishte edhe kapiteni Lautaro Martínez: “Shpresoja që një ditë do bëhej lojtari që është sot. Kundër Barcelonës dha gjithçka deri sa u zëvendësua. Ai është thelbësor si për Interin ashtu edhe për Kombëtaren. Jep gjithmonë maksimumin. Nuk ka asnjë dyshim që ka potencialin për të fituar Topin e Artë. Këtu ndihet i lumtur, i vlerësuar dhe i rëndësishëm. Ka një ndjenjë të fortë përkatësie dhe kur ndihesh mirë aty ku je, kjo të ndihmon të shkëlqesh.”s.n.



Të tjera
Njerëzit inteligjentë jenë më dembelë
Sa minuta vrap duhen në ditë për qeliza të shëndetshme
Ushqimet që duhet t’i ketë fëmija në çantë