Me këtë rast, Sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë së Punëve të Brendshme, z. Genc Metaj theksoi se një ndër sfidat globale mbetet përballja me fatkeqësitë natyrore dhe fatkeqësitë e tjera.
“Kur flasim për ciklin e menaxhimit emergjent, që përfshin parandalimin, gatishmërinë, reagimin dhe rimëkëmbjen, aktiviteti i ‘Ditëve të AME-së’ është kryesisht i fokusuar në parandalim dhe vetëdijesim të qytetarëve. Përmes kontaktit të drejtpërdrejtë me qytetarët, nxënësit dhe komunitetin, si dhe me zyrtarët emergjentë dhe zjarrfikësit në nivel lokal, synojmë të tregojmë rëndësinë e rolit të agjencisë dhe të veprojmë së bashku në parandalimin e këtyre ngjarjeve”, theksoi në fillim të fjalës së tij Sekretari Metaj
Ai shtoi se Agjencia për Menaxhim Emergjent është duke bërë përparime të dukshme, duke marrë rolin që i takon në nivel shtetëror si koordinuese kryesore e aktiviteteve të reagimit emergjent dhe në udhëheqjen e përpjekjeve shtetërore për përballjen me fatkeqësitë natyrore.
Në fund Sekretari i Përgjithshëm i MPB-së, z. Genc Metaj, vuri në dukje se sa i përket parandalimit dhe aktiviteteve të kësaj jave, shpresojmë që secili aktivitet të prekë sa më shumë qytetarë, të rrisë ndërgjegjësimin dhe të shërbejë si një moment reflektimi, si dhe si një urë lidhëse mes agjencisë dhe qytetarëve.
Ndërkaq, u.d Drejtori i Agjencisë për Menaxhim Emergjent, z. Shefki Avdullahu, theksoi rëndësinë e kësaj jave dhe misionin e institucionit në shërbim të qytetarëve.
“Është kënaqësi e veçantë që sot para jush të hapim zyrtarisht Javën e Agjencisë së Menaxhimit Emergjent. Kjo javë përfaqëson përgjegjësinë dhe përkushtimin tonë të përditshëm për të mbrojtur jetën, pronën dhe të mirat materiale, në një mjedis ku rreziqet nga fatkeqësitë natyrore dhe fatkeqësitë e tjera po bëhen gjithnjë e më komplekse”, u shpreh ai.
Ai theksoi se misioni i Agjencisë nuk është vetëm institucional, por një zotim i përditshëm për qytetarët, i mbështetur në katër shtylla themelore: parandalimin, gatishmërinë, reagimin dhe rimëkëmbjen.
Gjatë ditëve të AME-së, Avdullahu theksoi se do të ketë aktivitete të shumta, ku synohet të afrohemi më shumë me qytetarët, të ndahen njohuri praktike dhe të ndërtohet një kulturë e qëndrueshme sigurie, ku vetëm përmes bashkëpunimit dhe vetëdijesimit mund të zvogëlohen rreziqet dhe të mbrojmë jetën dhe pronën.
Gjatë këtyre ditëve të AME-së do të zhvillohen disa aktivitete që kanë për qëllim zgjerimin e njohurive për këtë agjenci. Do të ketë dhurim vullnetar të gjakut, prezantime në shkolla të ndryshme, promovim të numrit unik 112, si dhe një fushatë të përgjithshme vetëdijësuese.



Të tjera
Zgjedhjet e reja, sfidë për KQZ – Elezi: Nuk kemi buxhet, të fundit kushtuan 11.5 milionë euro
Dogana e Kosovës: Sulm kibernetik ndaj platformës Schwacke
“Zgjedhjet nuk janë zgjidhje, merrni pjesë në votim” – Haskuka, opozitës: Kërkuat apartiak, ja ku e keni