Ekrem Rexha, i njohur si Komandant Drini, u qëllua për vdekje më 8 maj të vitit 2000.
Vrasja e njërit prej komandantëve më të zot të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Ekrem Rexha – Komandant Drini, i cili është ndër më të merituarit për çlirimin e qytetit të Prizrenit, ka mbetur ende një enigmë e pazgjidhur.
Kur kanë kaluar më shumë se 25 vite nga ajo vrasje makabre, tashmë shpresat për zbardhjen e saj janë venitur, pasi drejtësia vendore ka dështuar plotësisht në hetimin dhe zbulimin e autorëve të vrasjes së Drinit.
Reagon familja Rexha
“Bëhen 25 vite nga kërkesa për të vërtetën, bëhen 25 vite nga pritjet e të vërtetës, bëhen 25 vite pikëllimi, bëhen 25 vite dëshpërimi për të ditur mbi fatin e babit tonë Ekrem Rexha – Komandant Drini. Edhe pas 25 vitesh, ne përsëri më 08.05.2025 do të jemi në Landovicë duke e përkujtuar babin tonë! Duke përsëritur për të 25-ën herë, ne qëndrojmë pranë varrit të tij për ta kujtuar veprën dhe sakrificën e tij për një Kosovë të lirë, por njëkohësisht me heshtje dhe dhimbje, gjithnjë e shprehim zhgënjimin tonë për mosveprim të institucioneve të drejtësisë – mu për ato për të cilat Komandant Drini ka luftuar”, thuhet ndër të tjera në reagimin e familjes Rexha.
Ata theksojnë se Drini u vra nga tradhtarët, të cilët, sipas tyre, janë dorë e zgjatur e Serbisë.
“Mos e lejoni që edhe nipat të pyesin: çfarë ndodhi me gjyshin? I plagosur në luftë nga shkau, i vrarë në liri nga tradhtarët – dorë e zgjatur e Serbisë! Ende sot nuk ka drejtësi për çlirimtarin e Prizrenit”, thuhet më tej në reagimin e familjes së Komandant Drinit.
Vrasje me porosi
“Vrasja e Ekrem Rexhës – Komandant Drinit, është njëri nga aktet më të shëmtuara në historinë tonë, sepse lidhet me tradhti kombëtare. Ka ndodhur pas çlirimit të Kosovës, që nënkupton se ishte një vrasje e porositur nga armiqtë e Kosovës, por e realizuar nga vetë shqiptarët e Kosovës!”, shprehet Zogaj.
“Kjo nuk ka fije dyshimi, njësoj si moszbardhja e vrasjes, që është plotësisht e kuptueshme si akt i njerëzve të inkriminuar, të cilët, menjëherë pas luftës, kapën institucionet shtetërore dhe instaluan struktura të krimit të organizuar dhe korrupsionit! Vrasja e Komandant Drinit ishte e planifikuar nga konkurrentë frikacakë, që oficerin madhor e panë si pengesë për aktivitetin kriminal të bandave në shërbim të interesave për pushtet dhe pasurim të paligjshëm”, shton Zogaj.
Më tej, ai thekson se drejtësia e Kosovës ka dështuar plotësisht dhe mban përgjegjësi të drejtpërdrejtë për moszbardhjen e kësaj vrasje.
“Komandant Drini njihej si një profil tjetër – një institucionalist me dije të larta profesionale, formim të thellë intelektual dhe vlera të mirëfillta kulturore e morale, që nuk ishin të mirëpritura nga mbeturinat pseudo-atdhetare. Këta të fundit kishin nisur vrasjet që më herët – që nga vrasja e ministrit të Luftës, kolonelit Ahmet Krasniqi, dhe figurave të tjera që ende sot nuk dihet kush i vrau. Por dihet se u vranë tinëzisht, me plumba në shpinë. Një figurë brilante si Komandant Drini, poliglot i gjashtë gjuhëve botërore, ishte pengesë për ‘cubët e çajit’ – dhe kjo është arsyeja kryesore pse ai u vra. Por, përveç vrasësve, fajtorja më e madhe mbetet drejtësia kosovare, që heshti dhe ‘e hëngri turpin me bukë’, duke mos u angazhuar për zbardhjen e vrasjes së Komandant Drinit dhe shumë e shumë figurave të tjera të atdhetarisë së pastër”, deklaron Zogaj.
Por, a ka shpresë te Gjykata Speciale për zbardhjen e kësaj vrasje?
“Ky është një krim i dyfishtë, sepse roli që duhej ta kishte drejtësia vendore, sot e ka marrë Haga. Kjo mbetet njëfarë shprese, por në fakt, nuk do të mund ta japë verdiktin e merituar për këto vrasje. Publiku ynë i ka varur shpresat te Gjykata e Hagës, por kjo është absurde – sepse, nëse institucionet tona nuk duan, pse duhet që dikush tjetër ta bëjë punën tonë? Vrasjet që i kemi bërë vetë, ne edhe duhet t’i zbardhim vetë, për të treguar se e meritojmë lirinë, pavarësinë dhe dinjitetin kombëtar”, përfundon analisti Skënder Zogaj.



Të tjera
Arsyet pse njerëzit papritur humbasin interesin në ju
Mësoni se si t’i largoni papastërtitë nga lavatriçja
Shtatë shenja që ju keni një inteligjencë mbi mesataren