Inter është finalisti i parë i këtij edicioni të Champions League, pas një përballje dramatike ndaj Barcelonës, që është mbyllur me rezultat 4-3 në favor të zikaltërve dhe 7-6 me rezultat agregat.
Ndeshja e kthimit në Milano ka ofruar një tjetër spektakël futbolli, duke përfunduar në kohën e rregullt me rezultat 3-3, ashtu si edhe ndeshja e parë në “Camp Nou”, dhe duke çuar ndeshjen në vazhdime. Ka qenë Frattesi, ai që ka dalur hero i Inter, me golin vendimtar në minutën 99’, duke vulosur rezultatin 4-3 dhe kualifikimin e skuadrës italiane në finale.
Inter e ka nisur ndeshjen më mirë, duke marrë epërsinë përmes Lautaro Martinez në minutën e 21-të, ndërsa Hakan Calhanoglu e ka dyfishuar avantazhin nga penalltia pak para përfundimit të pjesës së parë.
Në pjesën e dytë, Barcelona ka reaguar me tre gola. Fillimisht Eric Garcia e ka ngushtuar diferencën në minutën e 54-t, ndërsa Dani Olmo e ka barazuar rezultatin në minutën e 60-të.
Kur gjithçka po shkonte drejt një triumfi katalanas pas golit të Raphinha në minutën e 88-të për rezultatin 2-3, Francesco Acerbi ka realizuar në minutën 90+3’, duke e çuar sfidën në kohë shtesë.
Në minutën e nëntë të vazhdimeve, Frattesi e ka gjetur rrjetën për Inter, duke siguruar një tjetër finale për klubin nga Milano.
Interi tani pret të mësojë kundërshtarin e finales, që do të vendoset nga përballja e së mërkurës ndërmjet PSG-së dhe Arsenal.



Të tjera
Rusia do të kryente një atentat të rremë ndaj Viktor Orban për të fituar zgjedhjet
Frutat që të ndihmojnë lëkurën të duket më mirë
Franca mbështet Kosovën në rrugën drejt BE-së