Udhëheqësit e Britanisë, Francës, Gjermanisë dhe Polonisë kanë qëndruar në Kiev, nga ku i kanë bërë thirrje Rusisë që të pajtohet me një armëpushim të plotë dhe të pakushtëzuar 30-ditor për të krijuar hapësirë për bisedime për një paqe të drejtë dhe të qëndrueshme në Ukrainë.
“Së bashku me SHBA-në, ne i bëjmë thirrje Rusisë që të pajtohet me një armëpushim të plotë dhe të pakushtëzuar 30-ditor për të krijuar hapësirë për bisedime për një paqe të drejtë dhe të qëndrueshme”, thanë katër liderët në një deklaratë të përbashkët.
Tema e diskutimit ishte propozimi amerikan dhe evropian për një armëpushim 30-ditor në luftën e Rusisë në Ukrainë, i cili, nëse refuzohet nga Moska, do të nënkuptonte vendosjen e përbashkët të sanksioneve të reja, përcjell Telegrafi.
Vizita e kryeministrit britanik Keir Starmer, presidentit francez Emmanuel Macron, kancelarit gjerman Friedrich Merz dhe kryeministrit polak Donald Tusk shënon herën e parë që liderët e katër vendeve kanë udhëtuar së bashku në Ukrainë.
Dhe vjen në një moment të paparashikueshëm diplomatik pas më shumë se tre vjetësh të luftës së Rusisë kundër Ukrainës.
Së fundmi është bërë virale një video e një momenti emocionues mes Merz dhe Zelenskyt.
“Kujdesu, ne jemi në kontakt. Mund të më telefonosh kur të duash”, i tha kancelari gjerman Zelenskyt.
Të tjera
KFOR-i gjerman trajnohet për identifikimin dhe ndjekjen e dronëve
Gruaja myslimane me origjinë pakistaneze emërohet sekretare e re britanike për migracionin
Kosova është në rrugën e duhur drejt organizatave evropiane dhe euroatlantike