Qeveria spanjolle ka miratuar një projektligj që parashikon shkurtimin e javës së punës nga 40 në 37.5 orë, me synimin për të rritur produktivitetin dhe përmirësuar mirëqenien e punonjësve. Drafti kalon tashmë për shqyrtim në parlament, ku ekipi i kryeministrit Pedro Sánchez përballet me sfidën e sigurimit të mbështetjes në mungesë të një shumice të qartë.
Ministria e Punës vlerëson se rreth 12.5 milion punonjës në sektorin privat, të punësuar me kohë të plotë apo të pjesshme, do të përfitojnë nga kjo reformë. Ministrja Yolanda Díaz, përfaqësuese e partisë së majtë Sumar, e cilësoi masën si një hap përpara në drejtim të modernizimit të marrëdhënieve të punës dhe rritjes së kënaqësisë qytetare.
Ndryshimi tashmë është zbatuar për punonjësit e administratës publike dhe disa sektorë shtetërorë, por me ligjin e ri do të zgjerohet në fusha të rëndësishme si tregtia me pakicë, mikpritja, ndërtimi dhe industria përpunuese – sektorë që zënë një pjesë të konsiderueshme të fuqisë punëtore. Iniciativa ka hasur në mbështetjen e sindikatave të mëdha, ndërsa është pritur me skepticizëm nga përfaqësuesit e botës së biznesit.
Që nga viti 1983, kur orari javor i punës u reduktua nga 48 në 40 orë, nuk ka pasur ndërhyrje të tjera të mëdha në këtë drejtim. Projektligji i tanishëm mbështetet edhe nga rezultatet pozitive të eksperimenteve të kohëve të fundit, përfshirë një projekt pilot në Valencia pas pandemisë, ku u testua një javë pune katërditore. Sipas të dhënave, punonjësit raportuan më pak stres dhe një stil jetese më të shëndetshëm.b.w.



Të tjera
Si të jeni më të lumtur, 10 metoda të vërtetuara shkencërisht
Përdoreni specin e kuq në çdo ushqim
Pesë shenja të mungesës së vitaminave që nuk duhen anashkaluar