Strukturat ilegale largohen nga fabrika e ujit në Zubin Potok – shteti rikthen kontrollin e saj për sigurinë e qytetarëve

Strukturat ilegale largohen nga fabrika e ujit në Zubin Potok – shteti rikthen kontrollin e saj për sigurinë e qytetarëve

Sot është ndërprerë veprimtaria ilegale e strukturave paralele në Fabrikën e ujit në Zubin Potok, me kërkesë të Njësisë për Monitorimin e Ndërmarrjeve Publike të Ministrisë së Ekonomisë.

Këtë e bëri të ditur ministrja në detyrë e Ekonomisë, Artane Rizvanolli përmes një postimi në rrjetin social në Facebook.

Rizvanolli tha se kjo fabrikë e ujit është aset kritik për furnizim të sigurt me ujë për mijëra qytetarë të Republikës së Kosovës në komunat veriore.

“Andaj, marrja nën kontroll e këtij aseti është çështje e sigurisë, e shëndetit publik dhe e shtrirjes së kontrollit institucional. Tash e tutje, KRU Mitrovica do të sigurohet që ky sistem jetik të funksionojë sipas standardeve ligjore dhe teknike të Republikës së Kosovës”, ka shkruar ajo.

Tutje Rizvanolli theksoi se furnizimi me ujë nuk mund të jetë mjet presioni politik apo kontrolli nga jashtë.

“Është një e drejtë bazike e qytetarëve tanë, dhe përgjegjësi e institucioneve tona publike që ajo të realizohet në mënyrë të sigurt dhe të barabartë për të gjithë. Falënderoj Policinë e Kosovës për mbështetjen dhe falënderoj KRU Mitrovicën për gatishmërinë për t’u shërbyer të gjithë qytetarëve të Republikës së Kosovës pa dallim”, ka shkruar Rizvanolli. /Telegrafi/