Nagavci: Përgjegjësia është e qartë, qytetarët do ta japin përgjigjen

Nagavci: Përgjegjësia është e qartë, qytetarët do ta japin përgjigjen

Pas dështimit të mbrëmshëm që Kosova të kishte një president të ri shteti, Arbërie Nagavci nga Vetëvendosje tha se përpjekja e tyre për t’i shmangur zgjedhjet e parakohshme hasi në bllokadë, sipas saj, të pakapërcyeshme.

“Secilit propozim të LVV-së, opozita iu përgjigj me refuzim. Përpjekja jonë për të shmangur zgjedhjet e parakohshme dhe të panevojshme hasi në një bllokadë të pakapërcyeshme. Në vend të angazhimit konstruktiv, pamë vetëm refuzim dhe mungesë vullneti për zgjidhje”, ka shkruar ajo.

Sipas Nagavcit që drejtonte deputetët e Vetëvendosjes së legjislaturës së dhjetë, të shpërndarë nga mbrëmë, opozitarët refuzuan të gjithë emrat e propozuar nga ta, përfshirë edhe figurat konsensuale.

“Kontradiktat e tyre dolën qartë në shesh. Nga PDK, LDK, AAK dhe Lista Serbe pamë refuzim ndaj propozimeve tona, refuzim për të marrë pjesë në votim, refuzim ndaj kandidatëve si Glauk Konjufca dhe Fatmire Kollçaku, si dhe ndaj figurave konsensuale si dr. Feride Rushiti dhe prof. Hatixhe Hoxha. U refuzua edhe bashkëqeverisja, pozita e kryeparlamentarit dhe ajo e presidentit. U refuzua edhe vetë procesi për zgjedhjen e Presidentit”, ka shkruar tutje Nagavci.

Ajo thotë se përgjegjësia për situatën është e qartë dhe, sipas saj, populli do ta japë përgjigjen.

“Të dëshpëruar nga rezultati i zgjedhjeve të fundit, po na çojnë edhe një herë drejt zgjedhjeve të reja. Përgjegjësia për këtë situatë është e qartë dhe qytetarët do ta japin përgjigjen e tyre”, ka shkruar Nagavci.

Pas dështimit që brenda afatit të zgjidhej presidenti i ri i shtetit, vendi do t’i nënshtrohet një tjetër procesi të parakohshëm zgjedhor.