Edhe pse sezoni futbollistik në Evropë ende nuk ka përfunduar, gara për “Topin e Artë” tashmë ka nisur.
Me kampionatet kryesore që po shkojnë drejt përmbylljes dhe finalet evropiane që priten në javët e ardhshme, yjet e futbollit janë në fazën më vendimtare për të fituar vëmendjen e votuesve për çmimet më prestigjioze individuale në botë, “Topi i Artë” dhe “The Best” i FIFA-s.
Finalja e Ligës së Kampionëve do të peshojë shumë
Një rol kyç në këtë garë do ta ketë padyshim finalja e Ligës së Kampionëve, ku do të përballen Inter dhe Paris Saint-Germain. Fati i këtij trofeu mund të ndikojë drejtpërdrejt në fituesin e “Topit të Artë”.
Në rast se PSG ngre trofeun, atëherë Ousmane Dembele shihet si një kandidat i fortë, së bashku me bashkëlojtarët e tij Vitinha dhe Gianluigi Donnarumma, të cilët kanë qenë thelbësorë në rrugëtimin drejt finales.
Në anën tjetër, nëse Inter fiton, Lautaro Martinez do të ishte një favorit i natyrshëm, falë formës së tij të jashtëzakonshme. Nuk përjashtohet as Nicolo Barella, dirigjenti i mesfushës së zikaltërve dhe një nga lojtarët më të rëndësishëm të Simone Inzaghit.
Barcelona – tripletë vendase dhe emra të rinj në garë
Edhe pse e eliminuar në gjysmëfinale të Ligës së Kampionëve, FC Barcelona pritet të mbyllë sezonin me tripletën e trofeve në Spanjë, çka i jep avantazh në garën për çmimet individuale.
Në qendër të vëmendjes janë Lamine Yamal dhe Raphinha, të cilët kanë pasur një sezon të shkëlqyer. Po ashtu, performanca e Pedrit ka qenë vendimtare për ndërtimin e projektit të ri të Hansi Flick, me shumë kritikë që e konsiderojnë si katalizator të suksesit të “blaugranëve”.
Emrat e mëdhenj që nuk mund të lihen jashtë
Natyrisht, Kylian Mbappe, i cili pritet të bëhet golashënuesi më i mirë në sezonin e tij të parë me Real Madridin, është një tjetër emër i rëndësishëm në këtë garë. Gjithashtu, Harry Kane (Bayern Munich) dhe Mohamed Salah (Liverpool), të cilët kanë udhëhequr skuadrat e tyre drejt titujve përkatës, janë pretendentë seriozë për një vend në podium.
“Topi i Artë” do të ndahet në vjeshtë, por javët që na ndajnë nga fundi i sezonit pritet të jenë vendimtare për përcaktimin e fituesit.
Me shumë yje në garë dhe surpriza të mundshme, gara këtë vit duket më e hapur se kurrë më parë./rtk



Të tjera
Ushqimet që duhet t’i ketë fëmija në çantë
Pëlqeni keçap apo salcë domateje, ky shkrimi do ju bëjë të ndryshoni shije
Nisni mëngjeset me qumësht të kombinuar me mjaltë