Manchester City nderon Kevin De Bruyne me një statujë të veçantë për dekadën e lavdishme në Etihad

Manchester City nderon Kevin De Bruyne me një statujë të veçantë për dekadën e lavdishme në Etihad

Manchester City do të nderojë Kevin De Bruyne për shërbimin e jashtëzakonshëm dhjetëvjeçar ndaj klubit përmes një statuje të veçantë që do të përkujtojë karrierën e lavdishme të mesfushorit belg në ‘Etihad’.

Lajmi u konfirmua menjëherë pas ndeshjes së parafundit të Premier League për sezonin 2024/25 ndaj Bournemouth-it, të martën mbrëma, që gjithashtu shënoi paraqitjen e fundit të 33-vjeçarit në ‘Etihad’ si lojtar i City-t.

De Bruyne shprehu ndjenjat e krenarisë dhe nderimit për këtë gjest të veçantë nga klubi:

“Do të thotë që gjithmonë do të jem pjesë e këtij klubi. Sa herë që do të kthehem me familjen dhe miqtë, do të mund të shoh veten, kështu që gjithmonë do të jem këtu,” tha ai.

Pas një dekade të mbushur me suksese në Manchester City, gjatë së cilës luajti mbi 400 ndeshje dhe ndihmoi klubin të fitojë 19 trofe të mëdhenj, De Bruyne do të largohet gjatë verës.

Përveç gjashtë titujve të Premier League, belgu u shpall dy herë Lojtari i Sezonit në Premier League (2019/20 dhe 2021/22) dhe fitoi çmimin “Playmaker” për më shumë asistime në sezon tri herë (2017/18, 2019/20, 2022/23).

Ai gjithashtu mban rekordin e përbashkët për më shumë asistime në një sezon (20), së bashku me legjendën e Arsenalit, Thierry Henry.

Pas fishkëllimës së fundit të ndeshjes, De Bruyne u nderua me një fanellë të veçantë të kornizuar, të firmosur nga të gjithë bashkëlojtarët dhe stafi, si dhe një abonim të përjetshëm në ndeshjet e City-t. Një video tributi emocionuese u shfaq në ekranin gjigant të stadiumit ‘Etihad’.

Me këtë nderim, De Bruyne i bashkohet një grupi të zgjedhur legjendash të City-t që janë përjetësuar me statuja për kontributin e tyre të jashtëzakonshëm ndaj klubit. Në vitin 2021, u zbuluan statujat e kapitenit legjendar Vincent Kompany dhe mjeshtrit të mesfushës David Silva. Në vitin 2022, klubi nderoi Sergio Aguero-n me një statujë për golin e tij historik “93:20” që i solli City-t titullin e parë në Premier League në vitin 2012.

Në vitin 2023, një tjetër statujë përkujtoi treshen ikonike të viteve ’60: Mike Summerbee, Francis Lee dhe Colin Bell, për shërbimin e tyre të përbashkët 30-vjeçar ndaj klubit.

Tani është koha e Kevin De Bruyne që të nderohet për 10 vitet e lavdishme me një statujë që do të mbetet përgjithmonë si dëshmi e madhështisë së tij në Etihad.

Më herët të martën, Kevin mori pjesë në një ceremoni në qendrën stërvitore të klubit (CFA), ku kryetari Khaldoon Al Mubarak zbuloi një mozaik të veçantë në nder të kontributit të tij.

Ky mozaik është pjesë e një serie nderimesh të ngjashme për legjenda të tjera të City-t si Yaya Toure, Joe Hart, David Silva, Vincent Kompany, Sergio Aguero, Fernandinho dhe Ilkay Gundogan.s.n.