Një skenë e papritur është kapur nga kamerat gjatë mbërritjes së Emmanuel dhe Brigitte Macron në aeroportin e Hanoit, në Vietnam, në kuadër të turit të tyre në Azi.
Në momentin kur dera e avionit u hap dhe silueta e presidentit francez u shfaq, dy duar, që i përkisnin zonjës së parë Brigitte Macron, jashtë kamerës, u shfaqën dhe prekën fytyrën e Macron me një lëvizje që ngjante me një shuplakë.
Macron u duk i habitur për një moment, por menjëherë rifitoi qetësinë dhe vijoi me përshëndetjet sipas protokollit. Çifti presidencial zbriti shkallët e avionit, ku presidenti, si zakonisht, i zgjati dorën gruas së tij. Këtë herë, Brigitte Macron refuzoi t’ia merrte, duke u mbajtur fort pas parmakut.
Videoja është përhapur me shpejtësi në rrjetet sociale dhe ka shkaktuar reagime të shumta. Fillimisht, Pallati Élysée mohoi autenticitetin e pamjeve, por përballë jehonës mediatike ndryshoi qëndrim.
Një këshilltar i afërt i presidentit e përshkroi incidentin si një “shkëmbim të zakonshëm mes bashkëshortësh”. Më pas, enturazhi i Macron dha një tjetër version, duke e cilësuar si një moment të fundit relaksi mes çiftit përpara nisjes së udhëtimit, “në mënyrë lozonjare.”
Sipas të njëjtit burim, komentet negative vijnë kryesisht nga qarqe të afërta me Rusinë.



Të tjera
Qeveria do t’u ofrojë leje qëndrimi për 12 muaj studentëve dhe punëtorëve serbë
Kujdesi ndaj alergjive në stinën e pranverës
Sorensen sot pritet nga Kurti, në prag të fillimit të zbatimit të plotë të Ligjit për të huajt