Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës (MPJD) ka reaguar pas ndalimit të ish-deputetit të Kuvendit të Republikës së Kosovës, z. Gramos Agusholli, nga autoritetet serbe në pikën kufitare në Merdarë, teksa ai ishte në tranzit drejt Sllovenisë.
Sipas MPJD-së, Zyra Ndërlidhëse e Republikës së Kosovës në Serbi ka njoftuar menjëherë misionet diplomatike të shteteve të KUINT-it dhe Zyrën e Bashkimit Evropian në Beograd për këtë rast.
Njëkohësisht, Ministria ka ndërmarrë hapat e nevojshëm për të siguruar informacione të plota dhe zyrtare rreth ndalimit, duke e cilësuar këtë veprim si arbitrar dhe të papranueshëm.
“Dënojmë fuqishëm këtë akt represiv të autoriteteve serbe, i cili bie ndesh me parimet e të drejtës ndërkombëtare dhe konventat për të drejtat e njeriut. I bëjmë thirrje Bashkësisë Ndërkombëtare të reagojë menjëherë, duke kërkuar lirimin e z. Agusholli dhe ndalimin e praktikave të tilla provokuese,” thuhet në reagimin zyrtar të MPJD-së.
Ministria ka njoftuar se do të mbajë të informuar partnerët ndërkombëtarë për çdo zhvillim të mëtejshëm dhe se çdo informacion i ri do të publikohet pas verifikimit zyrtar.



Të tjera
Në përfaqësitë diplomatike lejohet identifikimi për votim me dokumente të skaduara të vlefshmërisë të Republikës së Kosovës
Në Suharekë pati më shumë se mbështetje, pati besim
Më shumë para në fund të muajit për punëtorë