Muja: Kurti ia kaloi Rugovës me vota, mendohet si një prej liderëve me më së shumti besim

MBPZHR-ja njofton programin e pagesave për fermerët

Ministri në detyrë i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Armend Muja, ka nënshkruar orientimet indikative të Programit të Pagesave Direkte për vitin 2026, të strukturuara sipas sektorëve strategjikë të bujqësisë dhe zinxhirëve kryesorë të prodhimit agro-ushqimor, në përputhje me metodologjinë sektoriale të Bashkimit Evropian.

Sipas ministrit Muja, programi kombinon pagesën bazë, pagesat e lidhura me prodhimin e kulturave prioritare, masat për stabilizimin e tregut, pagesën rishpërndarëse për hektarin e parë dhe eko-skema, me qëllim rritjen e prodhimit vendor, forcimin e sigurisë ushqimore, zhvillimin rural të qëndrueshëm dhe rritjen e eksporteve agro-ushqimore.

SIGURIA USHQIMORE DHE KULTURAT STRATEGJIKE

Në kuadër të drithërave, gruri mbështetet me 304 €/ha përmes pagesës bazë, masave për stabilizimin e tregut dhe inputeve bujqësore, ndërsa fermerët mund të përfitojnë edhe 100 €/ha shtesë për hektarin e parë. Sipas programit, përmes prodhimit dhe rendimentit, mbështetja mund të arrijë deri në rreth 433 €/ha. E njëjta skemë aplikohet edhe për misrin, elbin, tërshërën dhe thekrën, të cilat mbështeten me 304 deri në 329 €/ha, varësisht nga kultura.

Misri, sipas ministrisë, trajtohet si kulturë strategjike për sigurinë ushqimore dhe sektorin blegtoral.

KULTURAT PROTEINIKE, VAJORE DHE INDUSTRIALE

Luledielli mbështetet deri në 454 €/ha, ndërsa fasulja dhe patatja arrijnë deri në 754 €/ha, duke u konsideruar kultura me rëndësi të veçantë për zëvendësimin e importeve dhe sigurinë ushqimore.

PERIMET, PEMËTARIA DHE VRESHTARIA

Perimet në fushë të hapur mbështeten me 704 €/ha, ndërsa perimet në serra arrijnë në 1,054 €/ha, duke u cilësuar si sektor prioritar për rritjen e prodhimit vendor.

Pemëtaria mbështetet deri në 654 €/ha, ndërsa mjedra përfiton 0.20 €/kg dhe 150 €/ha për sipërfaqe. Vreshtat mbështeten me 1,104 €/ha, si dhe me pagesa shtesë për verën dhe fidanët.

BLEGTORIA

Në sektorin blegtoral, lopët qumështore mbështeten me 90 €/kokë, viçat me 30 €/kokë, mëshqerrat me 60 €/kokë, buallicat me 180 €/kokë, ndërsa delet dhe dhitë me 30 €/kokë.

Pulat mbështeten me 0.50 €/kokë, brojlerët me 0.20 €/kokë dhe dosat për riprodhim me 25 €/kokë.

CILËSIA DHE DIVERSIFIKIMI

Qumështi do të subvencionohet sipas cilësisë: 0.07 €/l për klasën extra, 0.04 €/l për klasën I dhe 0.02 €/l për klasën II.

Bletaria mbështetet me 25 €/koshere, ndërsa bletaria organike me 30 €/koshere. Akuakultura përfiton 0.25 €/kg për prodhimin e peshkut.

Sipas ministrisë, këto orientime indikative shërbejnë si bazë për hartimin dhe finalizimin e Programit Vjetor për Pagesa Direkte 2026 dhe mund të rishikohen gjatë procesit të konsultimeve dhe finalizimit të skemës.