Qeveria në detyrë e Kosovës ka shprehur gatishmëri për të diskutuar me Mbretërinë e Bashkuar lidhur me mundësinë e ngritjes së “qendrave të kthimit” për azilkërkuesit e refuzuar nga territori britanik.
Ky qëndrim vjen pas raportimeve të mediave britanike se Mbretëria e Bashkuar po konsideron disa vende, përfshirë Kosovën, si destinacione të mundshme për të strehuar migrantët që kanë përfunduar procesin e apelimit për azil dhe janë në pritje të deportimit.
Zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu, në një deklaratë për Telegrafin, tha se Kosova është e hapur për të nisur diskutime mbi këtë propozim, duke theksuar marrëdhëniet e ngushta me Britaninë e Madhe.
“Dëshirojmë ta ndihmojmë Mbretërinë e Bashkuar, mikun, partnerin dhe aleatin tonë, si dhe qeverinë e saj Laburiste. Besojmë se është e drejtë të themi se mund të fillojmë diskutimet mbi këtë temë, por të gjitha institucionet tona shtetërore duhet të përfshihen dhe më pas vendimi do të varet nga rekomandimet e tyre. Shumë pyetje do të kenë nevojë për përgjigje paraprakisht,” deklaroi Kryeziu.
Propozimi për ngritjen e këtyre qendrave është pjesë e një strategjie më të gjerë të Londrës për të menaxhuar fluksin e migrantëve që mbërrijnë ilegalisht në Britani.
Sipas The Times, këto qendra do të shërbenin për qëndrimin e përkohshëm të migrantëve të refuzuar, para deportimit të tyre.
Megjithatë, plani ka ngjallur reagime nga organizata ndërkombëtare për të drejtat e njeriut. Human Rights Watch ka paralajmëruar se përdorimi i vendeve të Ballkanit për të strehuar migrantët mund të rrezikojë të drejtat e tyre dhe të imponojë barrë shtesë mbi vendet pritëse. Organizata u ka bërë thirrje BE-së dhe Britanisë së Madhe që të ndalojnë së përdoruri rajonin si “magazinë për migrantët”.
Shembuj të ngjashëm tashmë ekzistojnë në rajon. Shqipëria ka pranuar të strehojë migrantë të kthyer nga Italia, ndërsa Britania ka premtuar një pako investimesh prej gjashtë miliardë eurosh në Maqedoninë e Veriut.
BE-ja, në një hap të diskutueshëm në mars të këtij viti, lejoi për herë të parë vendet anëtare të përpunojnë kërkesat për azil jashtë kufijve të saj, duke hapur rrugën për marrëveshje si ajo që po shqyrtohet me Kosovën.
Kosova ka pasur përvoja të ngjashme edhe më parë.
Në vitin 2022, Prishtina dhe Kopenhaga u dakorduan për një marrëveshje që përfshinte dhënien me qira të 300 qelive në burgun e Gjilanit për të strehuar të burgosur të huaj të dënuar në Danimarkë, të cilët pas përfundimit të dënimit pritet të dëbohen. Marrëveshja parashihte mbi 200 milionë euro investime në sistemin korrektues dhe në energjinë e ripërtëritshme në Kosovë.
Por kjo marrëveshje nuk kaloi pa reagime. Organizatat për të drejtat e njeriut, përfshirë Qendrën Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës (QKRMT), shprehën shqetësime për ndikimin në të drejtat e të burgosurve dhe kapacitetet e menaxhimit në vend.
Kosova gjithashtu kishte pranuar rreth 1.900 shtetas afganë të evakuuar nga Afganistani pas rikthimit të talibanëve në pushtet në vitin 2021.
Ata ishin strehuar përkohësisht në kampin “Liya” në bazën ushtarake Bondsteel në Ferizaj, deri në përfundim të procesit të verifikimit për zhvendosje drejt SHBA-së ose vendeve të tjera perëndimore. Kampi është mbyllur tashmë, dhe shumica e afganëve janë transferuar në vendet pritëse.
Të tjera
Dëshmia e James Rubin është përshkrimi më realist i periudhës së lu*ftës
Të rinjtë, çelësi për bashkëpunim dhe paqe në rajon
Iz*raeli nuk duket i interesuar për “negociata serioze për armëpushim” në Ga*za