Spastrimi etnik në Kosovën Lindore: Paralajmërohet përkeqësim i situatës

Diskriminimi ndaj shqiptarëve të Luginës së Preshevës vazhdon edhe sot.

Kjo është dëshmuar edhe një herë me mospranimin e asnjë shqiptari në Policinë e Serbisë.

Sipas Këshillit Kombëtar Shqiptar, ky zhvillim paraqet një kërcënim serioz për bashkëjetesën ndëretnike në rajon.

Në listën e fundit të publikuar nga Ministria e Punëve të Brendshme të Serbisë, nga 43 kandidatë të pranuar në konkursin për policë, nuk është pranuar asnjë shqiptar në Preshevë e Bujanoc.

Ky është një sinjal alarmant që tregon vazhdimin e diskriminimit sistematik të shqiptarëve nga institucionet shtetërore, përkundër marrëveshjeve ndërkombëtare dhe obligimeve të shtetit”, thuhet në reagimin e Këshilli Kombëtar Shqiptar .

Për këtë çështje kanë reaguar edhe institucionet e Kosovës. Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, e ka cilësuar mospranimin e shqiptarëve në Policinë e Serbisë si një formë të spastrimit etnik.

Sveçla ka theksuar se 10% e trupës së Policisë së Kosovës përbëhet nga pjesëtarë të komuniteteve jo-shumicë, ndërsa më shumë se 50% e tyre janë nga komuniteti serb.

Gjithashtu, ai ka bërë të ditur se, vetëm në tri proceset e fundit të rekrutimit të veçanta për komunitetet, janë pranuar 210 pjesëtarë të rinj nga komuniteti serb.

“10% e totalit të Policisë së Kosovës janë nga radhët e komuniteteve dhe mbi 50% prej tyre janë nga radhët e komunitetit serb. Në 3 proceset e fundit, të veçanta për komunitetet, janë inkuadruar 210 pjesëtarë të rinj nga po ky komunitet. Në konkursin e fundit të policisë në Serbi, nga 43 policë të pranuar në Preshevë dhe Bujanoc asnjëri nuk është shqiptar.

E po ashtu nga 22 policë sa janë në Medvegjë, asnjëri prej tyre nuk është shqiptar. Kjo dëshmon qasjen tonë për integrim e bashkëpunim me qytetarët e komunitetit serb që jeton në Kosovë ndërsa Serbia çdo ditë e më shumë po shpërfaq qasjen e saj diskriminuese ndaj shqiptarëve të Luginës së Preshevës, që në thelb ka spastrimin etnik të tyre. Ky spastrim etnik që Serbia po ua bën në çdo formë shqiptarëve që jetojnë në Luginë të Preshevës, duke ua shkelur rrjedhimisht çdo të drejtë elementare të tyre, duhet ndëshkuar e ndalur menjëherë nga faktori ndërkombëtar”, thuhet në reagimin e Sveçlës.

Ky diskriminim nga ana e Beogradit zyrtar nuk është mirëpritur as nga shqiptarët që jetojnë në Serbi. Ata e shohin këtë përjashtim të vazhdueshëm nga institucionet shtetërore si një politikë të qëllimshme të dhe përjashtimit etnik.“Qeveria e Kosovës po i heq mbishkrimet serbe në veri, kurse Serbia po i dëbon shqiptarët nga Serbia”

Lidhur me këtë çështje, analist politik nga Presheva, Nehat Hyseni ka  deklaruar se Serbia, e drejtuar nga Vuçiq dhe e toleruar nga BE-ja, ka intensifikuar përpjekjet për spastrim etnik në Kosovën Lindore.

Image

Nehat Hyseni

“Serbia aktuale, e udhëhequr nga partia fashiste e ultranacionalistit dhe shovinistit  Aleksandër Vuçiq, pothuajse e papenguar fare nga Bashkimi Europian dhe bashkësia ndërkombëtare, sidomos gjatë dhjetë viteve të fundit i ka intensifikuar skajshmërisht aktivitetet shtetërore rreth spastrimit etnik të Luginës së Preshevës”, ka thënë ai.

Ai thekson se pas nisjes së luftës në Ukrainë, Serbia është favorizuar nga Europa me shpresën për ta larguar nga ndikimi rus, gjë që, sipas tij, vetëm e ka inkurajuar Vuçiqin të përshpejtojë dëbimin e shqiptarëve përmes masave diskriminuese.

“Kurse, nga fillimi i luftës në Ukrainë nga agresioni rus, Serbia është bërë edhe më shumë e “përkëdhelura” e Europës, me arsyetimin tragjikomik, se po përpiqet që ta joshë Serbinë kah vetja dhe ta “largoj” sa më shumë nga Rusia e fashistit Vlladimir Putin. Kjo gjë po e trimëron edhe më shumë Serbinë dhe Vuçiqin dhe po e nxitë që me nguti ta realizoj qëllimin e saj makabër të dëbimit të shqiptarëve jashtë Serbisë, me masa administrative të fshirjes së tyre nga evidenca, mospranimin apo mos mosnjohjen e diplomave nga universitetet e Kosovës, si dhe me mospranimin e shqiptarëve në punë në institucionet shtetërore, siç është rasti i fundit i mospranimit të asnjë kandidati shqiptar në Ministrinë e Punëve të Brendshme të Serbisë për Preshevë, Bujanoc dhe Medvegje!”, ka thënë Hyseni.

Po ashtu, Hyseni ka theksuar se shqiptarët në Luginën e Preshevës ndihen të braktisur dhe në një situatë paradoksale.

“Kjo situatë shqiptarëve në Luginën e Preshevës u duket e pakuptimtë dhe paradoksale: derisa Qeveria e Republikës së Kosovës po i heq kohë pas kohe disa tabela e mbishkrime serbe në veri të vendit, qeveria serbe nga Lugina po i dëbon shqiptarët “me rrënjë”, duke i shpallur si mosekzistentë dhe “të paqenë”, sepse po i shlyen administrativisht nga evidenca dhe ata, pra shqiptarët sipas shtetit serb, “nuk ekzistojnë” në këto troje të tyre stërgjyshore?!

Tragjedia dhe fatkeqësia më e madhe për shqiptarët, është se megjithëse nuk përbëjnë asnjë rrezik për Serbinë, meqë janë minoritet nën 2% të popullsisë së Serbisë, që pushteti i Vuçiqit nuk i pranoi rezultatet e regjistrimit të fundit të popullsisë së Serbisë, por e përgjysmoi numrin e tyre, nga rreth 130.000, në rreth 65.000?! Siç! Duke u angazhuar dhe prononcuar personalisht për media Presidenti Aleksandar Vuçiq! Dhe askush nga bashkësia ndërkombëtare nuk reagoi dhe nuk u mor asnjë masë ndëshkuese ndaj këtij akti diskriminues dhe barbar”, ka deklaruar ai.

Më tej, Hyseni ka theksuar se Serbia po ndjek një politikë të dyfishtë, ndërsa ka drejtuar gishtin nga bashkësia ndërkombëtare.

“Pra, Serbia, mjerisht, me sukses të madh dhe pothuajse e papenguar fare nga askush, po realizon politikë të dyfishtë: duke u angazhuar për të drejta e beneficione të papara në botën demokratike, për serbët e Kosovës, kurse i diskriminon skajshmërish, në mënyrë barbare e fashiste minoritetin shqiptar, përkatësisht shqiptarët në Luginën e Preshevës”, ka përfunduar Hyseni.

Nuraj: Ne vetëm po presim kohën kur do të na dëbojnë nga vatrat tona

Ndërkaq,  veprimtarja nga Sanxhaku,  Amina Nuraj, ka potencuar se Serbia është një shtet armiqësor ndaj shqiptarëve, i cili i zbaton ligjet e veta vetëm për t’i keqtrajtuar ata.

Image

Amina Nuraj

Sipas saj, Serbia kurrë nuk ka respektuar dhe as nuk do të respektojë të drejtat e shqiptarëve, qoftë në punësim, lirinë e fjalës apo të drejtën për jetën.

 “E kam thënë shumë kohë më parë se shteti i Serbisë është armik i hapur i çdo shqiptari dhe se i njëjti shtet i respekton ligjet e tij vetëm kur një shqiptar duhet të keqtrajtohet, arrestohet, burgoset. Shteti i Serbisë nuk i ka respektuar kurrë të drejtat e njeriut të një shqiptari dhe as nuk do t’i respektojë kurrë, as kur bëhet fjalë për punën, as kur bëhet fjalë për lirinë e fjalës, as kur bëhet fjalë për të drejtën e jetës, as kur bëhet fjalë për punën. Ne jemi totalisht të diskriminuar nga Serbia vetëm sepse jemi shqiptarë”, ka potencuar ajo.

Tutje, Nuraj ka deklaruar se shqiptarët në Serbi ndodhen në një situatë të ngjashme me atë të palestinezëve, duke jetuar nën kërcënimin e vazhdueshëm të dëbimit nga trojet e tyre.

“Mendimi im i sinqertë është se shqiptarët në Serbi janë në të njëjtën situatë si palestinezët në Palestinë. Ne vetëm po presim kohën kur do të na dëbojnë nga vatrat tona, dhe kjo ka filluar ngadalë dhe me siguri në Medvegjë, dhe ka filluar këtu që nga viti 1945. Vendi ynë amë, Shqipëria, duhet të bëjë sa më shumë që të jetë e mundur në aspektin e sigurisë, si fizike, psikologjike ashtu edhe financiare të shqiptarëve në Serbi”, ka thënë ajo.

Nuraj ka ka kritikuar ashpër heshtjen e Bashkimit Evropian, organizatave ndërkombëtare dhe atyre për të drejtat e njeriut ndaj diskriminimit dhe dëbimit të shqiptarëve

Sepse ne nuk kemi të drejtë të punojmë në Serbi vetëm pse jemi shqiptarë. Ne nuk kemi të drejtë për një jetë normale. Dhe gjëja më e keqe është se

Bashkimi Evropian dhe organizatave ndërkombëtare, organizatat e të drejtave të njeriut në botë i mbyllin sytë ndaj diskriminimit dhe dëbimit të hapur të shqiptarëve nga Serbia.

Unë personalisht jam ngacmuar për dy vjet në pikat kufitare të Serbisë, ku më ndalojnë për 3, 4, 5 orë, dhe për fat të keq asnjë politikan nuk e ka ngritur zërin përveç z. Albin Kurti, i cili ua shpjegoi qartë dhe me zë të lartë të gjithëve situatën time”, ka përfunduar Nuraj.