Aktivisti Alket Veliu i përgjigjet Antonis Bezas: Historia nuk shkruhet nga politikanët, por nga historianët

Aktivisti Alket Veliu i përgjigjet Antonis Bezas: Historia nuk shkruhet nga politikanët, por nga historianët

Aktivisti i çështjes çame, Alket Veliu, ka reaguar ndaj një shkrimi të ish-deputetit dhe ish-zëvendësministrit grek, Antonis Bezas, duke kundërshtuar pretendimin se çështja e Çamërisë është e mbyllur, pëecjell Kosova Post.

Përmes një reagimi publik, Veliu thekson se historia nuk mund të shkruhet nga politika, por duhet t’u lihet historianëve dhe dokumenteve arkivore. Ai i bën thirrje Bezas që, nëse është i bindur për qëndrimet e tij, të mbështesë ngritjen e një tryeze të përbashkët me historianë shqiptarë, grekë dhe ndërkombëtarë për të shqyrtuar faktet historike pa ndërhyrje politike.

Veliu kritikon faktin se Bezas përmend vrasjen e 49 banorëve grekë në Paramithi në vitin 1943, por, sipas tij, shmang pyetjet mbi autorët e krimit dhe përgjegjësinë individuale, ndërsa nuk trajton vrasjet, dëbimet, djegien e fshatrave dhe konfiskimin e pronave të shqiptarëve të Çamërisë gjatë viteve 1944–1945.

Aktivisti ngre gjithashtu shqetësimin se shumë shqiptarë të lindur në Çamëri vazhdojnë të mos lejohen të hyjnë në Greqi për të vizituar vendlindjet apo varret e të afërmve të tyre, si dhe denoncon mungesën e aksesit në gjykatat greke për të kërkuar mbrojtjen e të drejtave pronësore.

Në fund të reagimit, Veliu thekson se qëllimi nuk është nxitja e konflikteve mes shqiptarëve dhe grekëve, por përballja me të vërtetën historike dhe zgjidhja e çështjeve të pazgjidhura mbi bazën e drejtësisë, respektit për viktimat dhe të drejtave të njeriut. Sipas tij, vetëm kështu mund të ndërtohen marrëdhënie të qëndrueshme dhe një e ardhme evropiane mes dy popujve.