Britania i bën thirrje Serbisë të bashkëpunojë që përgjegjësit e sulmeve në veri të dalin para drejtësisë

Ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar në Organizatën për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE), Neil Holland i ka bërë thirrje Serbisë që “të bashkëpunojë lidhur me përpjekjet që të gjithë përgjegjësit për sulmin në Zveçan dhe në Banjskë të mbahen përgjegjës”. Gjithashtu, ai tha se Serbia duhet të përmbushë zotimin për bashkëpunim në hetimin për sulmin në kanalin e Ibër-Lepencit.

Në njoftimin e publikuar në ueb-faqen e Qeverisë britanike lidhur me raportin e shefit të misionit të OSBE-së në Kosovë për gjashtë muajt e fundit, Holland gjithashtu kërkoi që Kosova dhe Serbia të angazhohen në dialogun e Brukselit, si dhe të përmbushin “detyrimet e tyre përkatëse, duke përfshirë themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë serbe”.

Më 29 maj 2023 më shumë se 90 pjesëtarë të misionit të NATO-s në Kosovë, KFOR, ishin plagosur në protestën e popullatës lokale serbe kundër kryetarëve shqiptarë në komunat veriore të vendit.

Ata po protestonin kundër hyrjes së kryetarëve shqiptarë në ndërtesat e komunave në veri – Mitrovicë të Veriut, Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok, shkruan Kp.

Ndërkohë në Serbi, ende nuk dihet nëse po hetohet rasti i sulmit ndaj pjesëtarëve të KFOR-it.

Ndërkaq më 23 shtator, në Banjskë të Zveçanit, një grup i armatosur serbësh, në krye me ish-politikanin serb Millan Radoiçiq, sulmoi Policinë e Kosovës ku mbeti vrarë rreshteri Afrim Bunjaku. Terroristi Radoiçiq besohet se qëndron në Serbi.

“Mbretëria e Bashkuar nënvizon gjithashtu rëndësinë e garantimit të drejtësisë dhe llogaridhënies për të gjitha aktet e dhunës. Ne vazhdojmë t’i bëjmë thirrje Serbisë që të bashkëpunojë plotësisht me përpjekjet për të kërkuar llogari nga ata që janë përgjegjës për sulmet e vitit 2023 ndaj trupave të KFOR-it dhe në Banjskë, dhe të përmbushë zotimin e saj për të bashkëpunuar në hetimin e sulmit në kanalin Ibër-Lepenc”, tha ambasadori Holland.

Holland ka theksuar se Mbretëria e Bashkuar është një mbështetëse e gjatë dhe e fuqishme e Kosovës si shtet i pavarur dhe sovran.

Ai përsëriti përkushtimin e shtetit të tij për të mbështetur aspiratat euro-atlantike të Kosovës.