Hysaj: Të gjithë e mbajnë mend ndeshjen e Beogradit, fitoren e kemi vetë në dorë

Të gjithë e mbajnë mend ndeshjen e Beogradit, fitoren e kemi vetë në dorë

Duke e cilësuar Serbinë një kundërshtare të fortë, mbrojtësi Elseid Hysaj, u shpreh se Kombëtarja shqiptare duhet të fitojë tre pikë në ndeshjen Shqipëri-Serbi, që luhet të shtunën, më 7 qershor në “Arenën Kombëtare”, në Tiranë.

Hysaj, në një konferencë për media është ndeshje e rëndësishme sepse serbët janë kundërshtarë direkt me ekipin “Kuq e Zi”.

Ai kujtoi edhe ndeshjen e para mbi 10 vjetëve më parë në Beograd, dhe theksoi se në këtë ndeshje duhet të ruajnë qetësinë dhe të luajnë për fitore.

“Të gjithë futbollistët janë të përqendruar, e dimë që kjo ndeshje shumë e rëndësishme, si për ne, dhe jashtë futbolli, ka shumë tifozë që po e presin këtë ndeshje. Normal që kam folur me disa lojtarë për lidhjet tona që kemi pasur, edhe për ndeshjet e kaluara që kemi luajtur bashkë. Të gjithë e dinë historinë e Shqipërisë. Thjesht kam thënë të jemi sa më të qetë dhe të bëjmë ndeshjen më të mirë në fushë”, tha ai.

“Është ndeshje e veçantë, por futbolli, duhet hyrë në fushë me qetësi dhe të bëjmë më të mirën për të marrë 3 pikë. Të gjithë e kanë parë ndeshjen që kemi luajtur ne aty. Nuk është imazh i bukur për futbollin. Nuk duhet të ndodhë ashtu si në atë kohë. Është ndeshje shumë e rëndësishme, luajmë për shtetin, kombin, nëse ne fitojmë mund të jetë krenari e madhe për ne. Duhet të jemi të qetë, që ta kuptojmë, duhet të mendojmë se jemi futbollistë, për të kënaqur tifozët dhe për të fituar”, theksoi Hysaj.

“Unë u riktheva nga dëmtim që kisha. Tani ndihem shumë mirë. Të gjithë mirë, është fundi i kampionatit, ndoshta mund të jemi të lodhur, por nuk besoj, kam parë çunat në stërvitje, të gjithë të përqendruar. Është ndeshje e veçantë, që duhet ta luajmë me zemër dhe shpirt, mund të jetë tifozëri e zjarrtë, por të jemi të qetë”, shtoi mbrojtësi transmeton Klankosova.tv.

“Trajneri bën punën e tij, gjithmonë na mban me mendimin që të jemi sa më të qetë, mos ta marrim me presion këtë ndeshje. Jemi të rritur ta kuptojmë rëndësinë e ndeshjes. E dimë që Serbia ka lojtarë të fortë, kemi luajtur kundër tyre në Seria A dhe jashtë. Dhe ato e dinë për ne, që mund të luftojmë dhe ta fitojmë atë ndeshje.”

“Të gjitha ndeshjet e grupit janë të rëndësishme, por kjo ndeshje direkte për ne. E dimë që Anglia shumë e fortë, që nëse fiton ose barazon mrekulli, por kundër Serbisë mund të luajmë letrat tona shumë mirë dhe të kemi mundësi për ta fituar ndeshjen”.